Personi i mbetur i vrarë mbrëmjen e kësaj të diele në qytetin e Shkodrës, është identifikuar si Bardhok Plani.
Ky i fundit mbeti i vrarë në afërsi të unazës së qytetit. Bardhok Plani nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Ai njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10-katësh në pronësi të Palanajt, e cila kapte vlerën e 2 milionë eurove. Gjithashtu Planaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Po ashtu në operacionin e quajtur “laguna e Vilunit të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.
Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.
Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian. /Balkanweb