Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, doli sot gjatë një takimi në Durrës, për problemet e mësuesve dhe mjekëve në veçanti. Basha tha se dyfishimi i pagave për mësuesit dhe ndalimi i largimit të mjekëve nga vendi, janë dy prioritete parësore të qeverisë së ardhshme.
“Si në disa fusha të tjera, e kemi të thjeshtë dhe të qartë t’jua themi, se vetë e mbani mend kur ne premtuam dyfishimin e pagave të mësuesve dhe pala tjetër tha nuk bëhet. Nuk bëhet sepse ata nuk e kishin bërë, nuk bëhet sepse ata nuk duan ta bëjnë, siç kishin 8 vjet kohë dhe nuk u kujtuan për mësuesit deri në janar, deri para fushate. Ndërkohë që, ne do të vazhdojmë me rritjen e pagave të mësuesve. Atëherë arritëm nivelin më të lartë në rajon, sot, mësuesi shqiptar është më i papaguari në rajon. Ndaj, politika e rritjes së pagave të arsimtarëve është pjesë kryesore e politikës së shpenzimeve publike të qeverisë së ardhshme, Partisë Demokratike
Ndalimi i largimit të mjekëve është një prioritet absolut. Me këto ritme nëse vazhdojnë ne do të kemi më pak mjekë për frymë se ç’kanë vendet më të varfëria të Afrikës. Ndaj masa e parë siç e përmendët dhe ju do të jetë rritja e pagave për mjekët, për mjekët specializant dhe për infermierët. Kjo është një faturë e përballueshme dhe e llogaritur në buxhetin e ardhshëm të qeverisë së ardhshme pas 25 prillit. Por siç e dini ju nuk janë vetëm pagat që i motivojnë mjekët të largohen janë dhe kushtet e punës. E kjo do të kërkoj një investim në të gjithë infrastrukturën e shëndetit publik por edhe një reformë që pas këtyre investimeve, këto institucione të shëndetit publik në veçanti spitalet të vet administrohen në mënyrë që të japin mjekëve mundësinë e shfrytëzimit të tyre individual të specializimit por edhe të krijojë një konkurrencë të shëndoshë midis këtyre institucioneve.” – u shpreh Basha.