Vaksina kineze që po përdoret masivisht në Shqipëri, quhet CoronaVac dhe është prodhim i kompanisë private kineze SinoVac. Nga 9 dhjetori 2020, deri në 9 shkurt 2021, një sasi prej 10 milion e 162 mijë e 123 doza hyri në Turqi nga Kina. Deputeti i Partisë Republikane në Ankara, Emir Murat tha se vaksina u soll në Turqi përmes kompanisë farmaceutike turke “Keyman”. Në lojë u fut edhe juristja e Keymen Ilaç. Ajo është Senanur Kapusuz. Juristja e mori vaksinën duke u përfshirë si vullnetare në testin e fazës së tretë, por në Twitter tha se ishte kompania ”Keymen Ilaç” ajo që e ndërmjetësoi ardhjen e vaksinave në Turqi, duke nxjerrë bllof Ministrin e Shëndetësisë.
Salih Kapusuz është nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, që është partia e Erdoganit. Senanur është vajza e tij dhe lidhja mes partisë në pushtet dhe kompanisë ”Keymen Ilaç”, që doli papritur si ndërmjetësuese mes Kinës dhe Turqisë. Një tjetër diskutim i fortë ishte çmimi me të cilën u ble vaksina. Në fillim u deklarua 70 dollarë për dozë, duke shkaktuar reagimet e opozitës. Më pas, çmimi u ul papritur në 12 dollarë për dozë, për të zhdukur hijet e një skandali të madh financiar, me një gropë rreth 550 milionë dollarë.
Çmimi u ul dhe skandali u duk sikur u shua, vaksina e Sinovac nuk gjeti qetësi në Turqi. Kemal Kılıçdaroğlu plasi një tjetër skandal. “1 milion doza vaksine të importuara nga Kina falas u faturuan në Zyrën e Furnizimit Shtetëror nga kompania Farmaceutike Keymen për secilën dozë prej 12 dollarësh”. Po ashtu Kılıçdaroğlu tha “Deri më 9 Shkurt 2021, për këto, DMO i pagoi kompanisë Keymen 121 milion e 945 mijë e 476 dollarë.” Rreth 12 milionë dollarë më shumë ishin paguar nga qeveria për 1 milionë dozat e falura, sipas kryetarit të opozitës turke.
Ku shkuan 12 milionë dollarët? Si u mbyll skandali? A ka lidhje me Shqipërinë?
Ende nuk dihet asgjë se si përfundoi historia e 1 milion vaksinave falas në Turqi, as e parave. Një muaj më pas e njëjta kompani, Keymen Ilaç, të njëjtën sasi vaksinash prej 1 milion, por me një çmim prej 2 dollarësh më pak, i solli CoronaVac (produkt i Sinovac) në Shqipëri.
Ende sot nuk është dhënë asnjë informacion rreth marrëveshjes, nuk është thënë kur filloi negociata, a u kontaktua direkt kompania kineze, apo u dhanë dozat që ishin tashmë në Turqi. Nuk është sqaruar sa është çmimi për dozë. Ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë deklaron se çmimi është sekret, në Turqinë e Erdoganit, ka më shumë transparencë.
Atje u debatua për çmimin, u deklarua sa janë paguar dozat. Mund të thuhet me siguri, se transparenca në Turqi është shumë herë më e madhe se në Shqipëri. Në kushtet e mjegullës së paprecedente dhe të pajustifikuar, ajo që mbetet e paqartë është nëse Shqipëria u përfshi në skandalin e vaksinave falas të Turqisë.
Përgatiti dhe marrë nga portali /Dosja.al/