Drejtuesi politik i fushatës së Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ka qenë sot në një kompani biznesi me investim të huaj në kryeqytet.
Menaxherja e kompanisë me 60 punonjës që prodhon dhe eksporton jashtë produkte gjumi si dysheqe, jastëk etj. i rrëfeu Rushajt se biznesi në Shqipëri ndesh në shumë vështirësi.
“Biznesi në Shqipëri has shumë vështirësi, që në vend që të na përkrahin dhe të na e bëjnë punën më të lehtë që të rritemi, na pengojnë”, tregoi menaxherja duke shtuar se kanë shpresë së janë të rinj si kompani por duan përkrahje e ndihmë.
Rushaj i shpjegoi se si ka menduar që Partia Demokratike nëpërmjet programit të saj të ndihmojë bizneset.
“Thjeshtim i procedurës së taksave dhe i procedurës doganore me qëllim që importi i mallrave që vjen të kalojë lehtë, pa shqetësime burokratike për ju.”, i shpjegoi kandidati për deputet në Tiranë, duke numëruar edhe uljen e një sërë taksash.
“Për aq kohë sa ne jemi të rregullt me të gjitha procedurat ligjore, paguajmë të gjitha taksat në shtet, punëtorët i paguajmë në këtë moment mbi pagën minimale …për aq kohë sa jemi kaq të rregullt nuk më duket e drejtë që të ketë burokracira të tilla.”, shprehu shqetësimin e saj menaxherja.
“Blerta shiko kush është çështja: të të them që kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet korrupsioni ka qenë zero është mashtrim, të të them kur ne të vijmë në pushtet do të jetë zero korrupsioni po ashtu është e ekzagjeruar.
Çfarë është e rëndësishme?! Disa procedura që ndihmojnë rimëkëmbjen e biznesit, rritjen e biznesit, duhen hequr sepse në fund të ditës nëqoftëse një qeveri do të bëjë një ndryshim kjo është mënyra për ta bërë.
Kemi studime, që në mos gaboj, nëqoftëse redukton shkallën e burokracisë në dogana me 1 për qind rritet tregtia ndërmjet shteteve me 10 për qind.
Tani kjo është një lidhje aq e madhe sa ti e ndjen që të kthehet në taksa, të kthehet në punë për ju padyshim po kthehet pastaj në taksa, tatime për shtetin që mund të shpërndahen për nevoja që ka buxheti i shtetit, nevoja që kanë qytetarët e kështu me radhë.
Pra kjo pjesa e reduktimit të burokracive nuk është diçka që duhet bërë për të dalë i pari këtu, është një mekanizëm i fortë që ka qeveria për të rritur të ardhurat që ka qeveria në mënyrë alternative.
Ka dy mënyra, ose ti t’i thuash që do ta bëj tatim-fitimin 15, 20, 30 për qind dhe ti pret që një kategori e caktuar njerëzish të të sjellin para në buxhet. Tjetra është: i redukton të gjitha, ose i thjeshton procedurat dhe baza e tatimpaguesve rritet, ty të vinë më shumë të ardhura dhe njerëzit janë më të lirë në veprimtarinë e tyre ekonomike.”, shpjegoi Rushaj me detaje planin e Partisë Demokratike që ka në qendër biznesin.