Pasditen e sotme LSI zhvilloi një takim elektoral nga njësia numër 2, kun ë fjalën e dhënë kryetarja monika kryemadhi deklaro se gropa që Edi Rama hapi për shqiptarët, do të bjeri vetë brenda.
Fjala e Monika Kryemadhit:
Mirëmbrëma të gjithëve dhe ju uroj suksese, jo për 25 prillin, sepse as nuk e diskutoj fitoren e 25 prillit për ekipin e mrekullueshëm të Tiranës dhe sidomos të Njësisë 1 dhe 2, por ju uroj suksese në punën tonë mbas 25 prillit, për ta çuar Shqipërinë drejt Europës dhe jo siç po e çon Edi Rama me sorrat e tij drejt gropës. Gropa që Edi Rama hapi për shqiptarët, do të bjeri vetë brenda. Sepse qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm të Tiranës, por në të gjithë Shqipërinë, e kanë dhënë fjalën e tyre, që më 25 prill do të votojnë djemtë dhe vajzat e tyre, do të votojnë burrat dhe gratë që i dalin për zot këtij vendi, që i dalin për zot familjeve, që i dalin për zot Shqipërisë, që i dalin për zot flamurit kombëtar.
Të rinjtë dhe të rejat shqiptarë sot më shumë se kurrë, siç janë këtu në këtë takim, ku do t’iu bëja kërkesë që të ruajmë njëri tjetrin, jo se Covidi na zë ne, por për të ruajtur vëllezërit tanë policë, që të mos i detyrojnë të vijnë t’iu gjobisin ju dhe mos t’i detyrojnë vëllezërit tanë që të përballen me ju. Ne e dimë shumë mirë se çfarë mendon Edi Rama për qytetarët e Tiranës. Ne e dimë shumë mirë se çfarë mendon Edi Rama për shqiptarët. Dhe nuk na bëhet vonë fare se çfarë mendon ai. Sepse ne duam të bëjmë më të mirën për të rinjtë dhe për të rejat, t’i kthejmë djemtë dhe vajzat e shqiptarëve në Shqipëri, të jetojnë në Shqipëri, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë.
Rama ka ikur, por Rama do iki më 25 prill me votën tuaj, sepse ne dimë të tregojmë që jemi qytetarë e qytetare europianë. Por ne dimë të tregojmë edhe anën tjetër të monedhës, kur nëse Edi Rama kërkon të cenojë shqiptarët, djemtë dhe vajzat e tyre, ai jo vetëm që do të shtypet si një mizë, por do të zhduket si një specie dhe Shqipëria të mos shikojë më racë të tillë, që shet Shqipërinë dhe djemtë e saj.