“Kontrollorët turq s’mund të nisin punë pa dy javë trajnim”, ja çfarë thotë eksperti…

0
136

Dritan Goxhaj, ish-pilot dhe ish-shef i operacioneve të fluturimit ne Autoritetin e Aviacionit Civil në një intervistë për gazetaren e Fax news Mirilda Tili, tha se marrja e kontrollorëve nga Turqia është në kushtet e paligjshmërisë.

Goxhaj tha se në rastin e shteteve që nuk janë pjesë e BE-së dhe nuk janë pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare ”one sky”, kontrollorët duhet të paktën dy javë që të trajnohen dhe më pas të marrin certifikatën nga AAC.

“Në rast se ti sjell kontrollorë të huaj, ata duhet të jenë ose të vendeve të BE-së, ose nga shtete që janë pjesë e marrëveshje ndërkombëtare, ose një marrëveshje direkte që duhet të kishte bërë kryeministri sjhqiptar me presidentin turk.

Ne bëjmë pjesë në atë që quhet one sky, një kontrollor i BE mund të zëvendësojë një kontrollor shqiptar, por për një kontrollor nga një vend i tretë, nuk mund të zëvendësojë pa bërë disa trajnime, teorik dhe praktik. E gjithë kjo duhet të zgjasë ta paktën dy javë, janë kritere që janë të parashikuara me vendim të këshillit të ministrave”, u shpreh Goxhaj.

Sa i takon kërkesave të kontrollorëve, Goxhaj tha se ato janë të drejta dhe se një kontratë kolektive nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme. Eksperti tha se ka qenë vetë ministrja Balluku, e cila në cilësinë e drejtoreshës së Albcontroll, ka insistuar që punonjësit të kenë një kontratë kolektive, të cilën tashmë po vetë kërkon që ta injorojë.

“Kontrollorët kanë një kontratë kolektive, dhe ajo nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme, ka qenë një ultimatum ai që i është dhënë kontrollorëve, por ata nga ana e tyre kanë shpallur paaftësinë në punë, në mëngjes kur gjysma e kontrollorëve u shoqëruan, ti nuk mund të presësh që ata të jenë në gjendje të rikthehen në punë. Kanë qenë të paaftë për të ofruar shërbimin.

Janë pushuar nga puna 5 kontrollorë, 3 prej tyre nuk mund të kthehen për shkak se janë në burg, dhe në këtë moment ata nuk mund të kthehen në punë, duke bërë që të rrëzohet dhe kërkesa kryesore që kishin kontrollorët. Pa u vendosur që a kishin ata apo jo të drejtë, nuk mund të ketë rikthim në punë”, tha Goxhaj, ndërkohë që u pyet në lidhje me pagesat që do të marrin nga shteti shqiptar kontrollorët e marrë nga Turqia.

“Duhet të sqarojmë një gjë Autoriteti i Aviacionit Civil nuk mund të përshpejtojë procedurën e trajnimit të këtyre kontrollorëve , dhe në fund duhet të lëshojë liçensën. Duhet parë se mbi çfarë bazash janë marrë kontrollorët turq në Shqipëri, dhe për cilën periudhë do të pafguhet dhe për cilën periudhë nuk duhet të paguhen, mbi çfarë baze e kanë bërë këtë zgjedhje”, komentoi Goxhaj.

Sa i takon shkollës së aviacionit, në Shqipëri ajo mungon, duke bërë që të gjithë kontrollorët të trajnohen jashtë vendit, kryesisht në shkolla private. Sipas Goxhaj shteti shqiptar, ose më saktë Albcontroll, duhet të paguajë të gjitha kostot e shtyrjes apo ndalimit të fluturimeve, si pasojë e mbylljes për dy ditë të kullës së vrojtimit në Rinas.

“Ne nuk kemi akademi aviacioni, e vetmja ka qenë akademia e aviacionit ushtarak, por nuk mund të prodhojë kontrollorë. Zakonisht trajnimet janë bërë në shtetet e BE-së, dhe pasi bëhet trajnimi, ata kthehen në Shqipëri dhe licensohen, nuk ka mundësi që të bëhet zëvendësimi i menjëhershëm, është një proces që zgjat, dhe zgjat shumë.

Në vende të tjera ushtria ka kontrollor, në vendin tonë një gjë e tillë nuk është e parashikuar. Është pikërisht ministrja Balluku ajo që e ka nënshkruar kontratën kolektive, dhe që në atë moment ajo duhet ta kishte ditur se mund të mbërrinim në një situatë të tillë.

Shqipëria duhet që të paguajë kostot e të gjitha fluturimeve që janë anulluar apo devijuar, janë para që merren nga Albcontroll, pasi të fillojnë fluturimet e tjera. Hapja e aeroportit po bëhet në kushtet e paligjshmërisë, dhe qeveria është përgjegjëse për këtë”, përfundoi Goxhaj në Fax News.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here