Mustafa Nano kundër Ramës: Akuzat për grusht shteti në Rinas janë absurde. Arrestimi i kontrollorëve është politik

0
458

Nga Mustafa Nano

48 orë pas ngjarjes së Rinasit, me mendje më të ftohtë, nja dy gjëra të sigurta mund t’i themi. Së pari, politika edhe një herë nuk zhgënjeu. Ajo nuk zhgënjen kurrë në raste të tilla. Versionet qeveritare se greva e punonjësve të Albkontrollit ishte një grusht shteti, se ajo kishte për qëllim të pengonte mbërritjen e vaksinave apo të bllokonte procesin e vaksinimit, se ajo synonte të sabotonte stërvitjen e madhe të NATO-s, apo se ajo ishte e orkestruar nga Berisha e Meta, janë ose absurde, ose të paprovuara. Ndonjëra prej këtyre tezave mund të provohet nesër, kushedi, por sot për sot janë të paprovuara. Politikanët tanë nuk kanë pse të na shesin për të vërteta gjëra që janë ende të paprovuara. Një qeveri, sidomos, nuk sillet kështu. Një qeveri vret mendjen si ta parandalojë, apo zgjidhë, një situatë të vështirë, e jo si ta denoncojë e demaskojë. Por edhe politikanët e krahut tjetër nuk mbetën pas. Berisha u ngazëllye, Meta reagoi si të ishte pjesëtar i grevës, ndërsa Basha tha në të nxehtë se ngjarja e Rinasit është e organizuar nga Edi Rama.

Gjëja tjetër e sigurt, të paktën sipas meje, është që mbajtja në burg e disa kontrollorëve të Rinasit është një gjë e menduar ngutshëm. Ata mund të shkarkohen, mund të gjobiten, hajt të themi se edhe mund të ndiqen penalisht, por mbajtja e tyre në burg në pritje të gjykimit kërcet. Nuk ta mbush mendjen. Të krijon menjëherë idenë e një veprimi të motivuar politikisht. E një veprimi të porositur.

Thënë sa më sipër, tani është radha për të thënë diçka për grevistët, të cilët, në kundërshtim me ç’prisnin, nuk gjetën mbështetje te publiku. I patën të gjithë kundër. Ata u shpallën armiku i popullit, armiku i popullit në kuptimin literal të fjalës, e jo në kuptimin e armikut të marrë gabimisht për armik, si me personazhin e dramës së Ibsenit. Të vetmit që u dhanë mirëkuptim ishin ata, për të cilët një gjë, nëse synon dëmtimin e Ramës, është gjëja e duhur. Mirëpo, kjo mbështetje nuk iu vlejti. Sepse greva e tyre – duhet ta themi këtë – nxirrte ujë nga të gjitha anët. Ishte budallaqe, e papërgjegjshme, e paligjshme, e dëmshme, e rrezikshme. Unë besoj se këtë e kanë kuptuar tanimë edhe vetë grevistët, të cilët me siguri janë penduar. Me siguri janë duke menduar se kanë bërë gabimin e madh të jetës së tyre, se kanë komprometuar, apo hedhur në plehra, një punë pëllumbash, që do ta lakmonin të gjithë. Edhe unë do ta lakmoja. Ku ka më mirë? Puno një ditë, dy të tjera bëji pushim, e në xhep fut një alamet rroge. Punë ideale për shkrimtarë. Unë do aplikoj, nëse krijohen vende bosh e nëse lejohen 60-vjeçarë.

Sikur të mos ishte mjaft kjo, greva u organizua e u justifikua në mënyrë mizerabël. U organizua me shkëmbime sms-sh të tipit “Duhet mbyllur kulla. Tani.” “Tani? Të mbyll kullën? Unë kam guxim, por deri në atë pikë nuk ma mban.” Duket pra si një punë guerrile. Ose punë cubash. Në një kohë që mund të ruhej një dekor normal. Shpalleshin ca kërkesa, hyhej në negociata, e nëse nuk merrej përgjigja e duhur, lihej një afat para se të fillohej një grevë e pjesshme disa-orëshe. Nëse do kishte kuptim edhe kjo. Sepse një grevë në aeroportin e Rinasit, që është i vetmi aeroport ndërkombëtar që kemi, është e ndaluar me ligj. Kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Po edhe sikur të mos ishte e ndaluar me ligj, një grevë atje do të ishte gjithsesi e papërgjegjshme. Pastaj, justifikimi se jemi të stresuar, bie erë. Është justifikim fëmijësh. Njerëzit nuk stresohen të gjithë njëherësh, si me komandë. Disa stresohen më shpejt e më shumë, e disa të tjerë më vonë e më pak. Madje, ka njerëz që janë të stresuar nga natyra. Kanë lindur të stresuar. Ka të tjerë që nuk e dinë se ç’është stresi. Nuk stresohen në asnjë rrethanë.

Janë këto gjëra, por edhe fakti që greva u organizua në pikun e fushatës elektorale që bëjnë grevën të shihet si e pilotuar politikisht. Ka, sidoqoftë, një arsye shumë të fortë që të shtyn të mos e besosh këtë version: “Ai që fitoi prej kësaj greve ishte Edi Rama.” Apo duhet të besojmë se plani ka qenë ndryshe, por për dreq ka ndodhur ajo që ndodh me çdo plan anti-Rama të opozitarëve, që nisen për lesh e kthehen rruar e qethur? Bah!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here