800 mijë euro drogë, shoferi i furgonit lidhje me familjen Zaev? Reagon kryeministri maqedonas

0
169

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje të tij apo familjarëve të tij në rastin e kapjes së 200 kilogramëve kanabis pak ditë më parë.

“Kush me kë të dojë le të jetë i afërt, nëse dikush e ka shkelur ligjin, ai do të mbajë përgjegjësi” kjo ka qenë deklarata e Zoran Zaev lidhur me rastin e konfiskimit të 200 kilogramëve marijuhanë me vlerë prej rreth 800,000 euro në Prilep, ku, ndër të arrestuarit është edhe Aleksandër Ushillkovski, shoferi i Trajçe Zaevit, kushëririt të Kryeministrit.

Më tej Zoran Zaev mësohet se ka mohuar që shoferi i arrestuar të jetë punonjës i kompanisë së familjes Zaev.

“Furgoni nuk është në pronësi të kompanive të familjes Zaev, në fakt, madje furgoni ka targa greke dhe nuk kam asgjë për të shtuar ose hequr. Në të vërtetë, ligji vlen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Aleksandri mund të jetë shoqëruar me kushëririn tim të parë sa të dojë, ligji vlen njëjtë për të gjithë ose ndonjë shef policie ka mundur të jetë në foto, bashkëpunëtor i Zaevit, Spasovskit dhe kujtdo, ligji zbatohet njësoj për të gjithë-“ deklaroi Zoran Zaev

VMRO DPMNE kërkon nga Zaev të tregojë nëse fugoni ku është gjetur marihuana është pronësi e kompanisë- partnere të familjes Zaev.

“Askush nuk tha që është pronësi e familjes Zaev. Ne pyetëm dhe përsëri pyesim- a është fugoni me targa greke pronësi e kompanisë që është në marrëdhënie partneriteti me kompanitë e Trajçe dhe Boban Zaevit? Për këtë duhet të japë përgjigje Trajçe Zaev” deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Nga ana e saj Prokuroria nuk e zbulon pronësinë e fugonit.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe fshehtësinë e hetimit, Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për momentin, në interes të procedurës, s’mund të zbardh më shumë hollësira. Prokurori kompetent po i ndërmerr të gjitha veprimet e domosdoshme për zbardhjen e rastit edhe për zgjerimin eventual të procedurës hetimore dhe ndaj personave të tjerë të përfshirë”.

Mes gjashtë personave të arrestuar për kontrabandë të drogës në aksionin e policisë maqedonase dhe DEA-s amerikane, është edhe eprori i policisë së Prilepit, Kire Spirkoski.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here