Përfshirja në listën e kandidatëve për deputetë për të tretën herë për mua është vlerësim, paçka pozicionimit, pasi prioritet kryesor për ne mbetet largimi i Rilindjes dhe kthimi i normalitetit në vend”. E renditur në vendin e 13-të në listën e LSI-së për deputet në qarkun e Tiranës, Eriona Bixha në një intervistë “Koha Jonë”, thotë se pika e fortë e LSI-së është se në çdo moment, si gjatë qeverisjes ashtu edhe në opozitë, i qëndron gjithmonë pranë qytetarëve, është në kontakt të vazhdueshëm me ta për çdo nevojë dhe i mban premtimet. Nga ana tjetër, ajo shprehet edhe se sfida kryesore pas fitores së zgjedhjeve, do të jetë konkretizimi i programit të LSI-së i hartuar me përvojën e profesionistëve më të mirë, sipas fushave përkatëse.
Në zgjedhjet e 2013 ju ishit një nga figurat e reja të LSI-së, dhe u renditët në vendin e 32 në listën për deputetë, kurse në zgjedhjet e 2017 në vendin e 8-të, por për zgjedhjet e 25 prillit ju mbani numrin 13-të. Keni zgjedhur vetë të jeni në këtë pozicion, pasi keni parë që figura të panjohura politike janë renditur në vende fituese?
Për mua LSI-ja është një familje e madhe, në të cilën unë jam rritur politikisht por edhe profesionalisht. Falë besimit, promovimit, parimit të demokracisë së brendshme dhe meritokracisë në LSI, unë dhe shumë të rinj të tjerë, kemi gjetur mundësitë, frymën dhe hapësirat që Shqipëria do të bëhet një vend me standarte Europiane, pikërisht nga angazhimi dhe dashuria që ne i falim vendit tonë. Përfshirja në listën e kandidatëve për deputetë për të tretën herë për mua është vlerësim, pavarësisht pozicionimit, pasi prioritet kryesor për ne mbetet largimi i Rilindjes dhe kthimi i normalitetit në vend. Secili kandidat i LSI-së me angazhimin e tij, pavarësisht pozicionit, ka rëndësinë e tij dhe është vlerë e shtuar për partinë dhe shoqërinë. Mos harrojmë që rezultati i LSI-së ka qenë gjithmonë në rritje progresive dhe këtë vit rezultati i LSI-së do të jetë surprizues, duke tejkaluar atë të vitit 2017.
Pas një eksperiencë të gjatë në terren si sekretare organizative e LSI-së, apo dhe në Bashkinë e Tiranës si Këshilltare, si ju ka shërbyer kjo përvojë në njohjen e nevojave të njerëzve dhe a mendoni që mund të jetë ky raport me njerëzit, pika juaj e fortë edhe në Kuvend pas 25 prillit?
Ashtu siç ju përmëndet, unë kam një angazhim intensiv në politikë dhe vendimmarrje prej më shumë se 10 vitesh. Konkretisht si anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë, ku kam ngritur zërin për çdo shqetësim dhe problematikë të banorëve të zonës që unë përfaqësoj, sidomos të të rinjve, bashkëmoshatarëve të mi, si prioritet i angazhimit tim. Pika e fortë e LSI-së është se në çdo moment, si gjatë qeverisjes ashtu edhe në opozitë, i qëndron gjithmonë pranë qytetarëve, është në kontakt të vazhdueshëm me ta për çdo nevojë dhe i mban premtimet.
Si po ju shkon fushata zgjedhore?
Për mua personalisht kjo është fushata e pestë që anagazhohem intesivisht, por di të them që është ndër fushatat më reale, më sensitive ku marrëdhënia me njerëzit është më njerëzorja dhe e vërteta. Surpriza e kësaj fushate mund të them me plot bindje është mbështetja, përkrahja dhe entuziazmi që shohim tek banorët e Tiranës, pasi kudo ku trokasim, na mirëpresin dhe mezi presin datën 25 Prill për ti dhënë fund këtij regjimi rilindas. Ne nuk kemi ndalur asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë të të qenurit në kontakt me anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët. Pandemia na ka dhënë mundësinë për të bërë takime të ngushta, ndryshe nga fushatat e tjera ku organizimet masive ishin domunuese, duke na kanë dhënë mundësinë për të krijuar një marrëdhenie më personale dhe të ngushtë me qytetarët.
Si e gjykoni që as në këto zgjedhje listat e votimit nuk janë të hapura, pra kandidatët do të jenë me numra? Pse mendoni që kryeministri Edi Rama e dëshiroi dhe kështu u vendos?
Ne si parti kemi qenë gjithmonë për lista të hapura dhe fleta e votimit të ishte e modelit ku kandidatët për deputet krahas numrit rendor, të kishin edhe emrat e tyre me qëllm që votuesi ta ketë më të lehtë për të votuar kandidatin e preferuar, duke i identifikuar me emra. Ky variant u miratua nga KQZ-ja, por fatkeqësisht u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor para disa ditësh, me kërkesë dhe urdhër të kryeministrit i cili kërkon të fshehë emrat e kandidatëve të tij, të cilët mesa duket fushatën e kanë përqëndruar në luftën e brendshme për marrjen e sa më shumë votave personale dhe jo votave për partinë.
Rinia politike është një nga shtyllat e LSI-së. Në bisedat e përditshme me të rinjtë, për çfarë diskutoni më shumë, përpos probleme të arsimit dhe vështirësive të punësimit. Çfarë presin ata, edhe pse dihet që partitë në fushata zgjedhore premtimet i kanë joshëse?
Në fokus të politikave si dhe në programin e LSI-së qëndron rinia. Në takimet e shumta që realizojmë gjatë ditës, pjesa më e madhe e tyre janë djem dhe vajza të reja të cilat kanë humbur besimin dhe shpresat nga mundesitë që ofron kjo qeveri. Shqetësimet e tyre janë të shumta, dhe lidhen kryesisht me sistemin arsimor, vështirësitë për punësim, jetesën e vështirë, si dhe shohin me prioritet largimin nga vendi. Në prioritetet tona vëmëndje të veçantë i kushtohet pikërisht kësaj të fundit, tragjedisë së shpopullimit. Realizimi i programit tonë me fokus rininë, për një arsim cilësor, kualifikime profesionale dhe mundësi të gjëra punësimi do të krijojë më shumë mundësi dhe shpresë për rininë që Shqipëria të jetë shtëpia e tyre. Programi nuk mbetet vetëm në letër, e as në kuadrin e premtimeve elektorale, pasi LSI-ja ka treguar që është parti e rinisë dhe parti që e mban fjalën.
Cilat janë qëllimet e juaja për këto zgjedhje, përveç fitores si deputete? Po ashtu cilat janë disa nga idetë që keni për ndryshimin e situatës pas 25 prillit?
Sfida kryesore pas fitores së zgjedhjeve, do të jetë konkretizimi i programit të LSI-së i hartuar me përvojën e profesionistëve më të mirë, sipas fushave përkatëse. Në fokus mbetet ndalimi i shpopullimit, si fenomen emergjent, arsimi cilësor, hapja e vendeve të reja pune me paga të mirëpaguara, shërbim cilësor shëndetësor falas, si dhe rritje të mirëqenies në çdo familje.
A keni ndonjë dyshim, pasiguri ose shqetësim në lidhje me 25 prillin?
Fitorja e opozitës së bashkuar është e padiskutueshme, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Ne do të sigurojmë një proces të rregullt zgjedhor, ku do të garantohet liria e votës dhe të mos cënohet vullneti i votuesve.
Nëse mund të renditeni disa pika kyçe pse kryeministri Edi Rama më 25 prill duhet të kalojë në opozitë?
Në mënyrë të përmbledhur do të rendisja shpopullimin e vendit dhe largimin masiv në shifra alarmante, dështimin në hapjen e 300.000 vendeve të reja të punës, rritja e kriminalitetit, pasiguria juridike, dështimi në shërbimin shëndetësor falas, dështimi në menaxhimin e situatës nga pandemia dhe tërmeti. Progresi negativ për anëtarësimin në BE, duke i shtuar kushtet Shqipërisë. Rritja e borxhit publik në nivelin më të lartë në rajon, rritjen e nivelit të varfërisë, rritja e taksave, përfshirë këtu edhe faturat që vijnë nga Gjykatat e Arbitrazhit në dëm të shqiptarëre, për llogari të inateve të kryeministrit Rama. Rritjen e çmimit të energjisë dhe ujit si shërbime të domosdoshme dhe jetike, heqja e ndihmës sociale për familjet në nevojë, dështimi në rritjen e pensioneve, dështimi në sistemin arsimor duke mos mbajtur premtimet për ti kushtuar 5% të buxhetit arsimit, si dhe duke mos mbajtur premtimet e dhëna studentëve pas protestave studentore, e shumë e shumë të tjera.