“Tentativë e organizuar për të blerë vota në qarkun e Durrësit”. Është kjo akuza që vjen nga nënkryetari i Partisë Demokratike dhe drejtuesi i fushatës së PD-së në këtë qark Edi Paloka. Me emra konkretë, ai denoncoi se po u bëhet presion qytetarëve në këmbim të votave. Sipas tij në krye të skemës ku ndërthuret krimi me blerjen e votave është kreu i OSHE-së, Ardian Çela.
“PS ka një sistem ku ndërthuret krimi me paranë e pisët dhe blerjen e votës. Është e vetmja skemë prandaj nuk bëjnë takime apo fushatë, nuk kanë program. Në Durrës në krye të kësaj skeme është Ardian Çela, që ka sekserë dhe punonjës të OSHE apo sekserë të OSHE si Artur Feta, që nuk është as funksionar i shtetit, por sekser që ndan tenderat me Çelën dhe i caktuar në zonën e Durrësit me të vetmen detyrë ndarjen e parave te familjet që do pranojnë të shesin votën. Kjo është skema e tyre”, tha Paloka për “A2News”.
Paloka theksoi se qeveria po u bën presion qytetarëve edhe me marrjen e të dhënave të votuesve. Ai tha se të gjithë këta do të mbajnë përgjegjësi edhe sikur të mos veprojë SPAK apo prokuroria.
“Një qeveri që po përpiqet me të gjitha mënyrat si marrja e të dhënave për të bërë presion qytetarëve. Edhe në mbledhim të dhënat e votuesve, por a mund ta thotë ai i parlamenti se çfarë do emri im apo numri im në database-n e Ballës apo të Ramës. Këta që janë në shërbim të tyre dhe lëvizin natën si minj për të shpëtuar nga disfata e 25 prillit se 25 prilli është afër dhe do mbajnë përgjegjësi. I kemi emër për emër të regjistruar po edhe sikur të mos veprojë SPAK e Prokuroria, meqë e kishin futur drejtuesin e SPAK te votuesit e sigurt, pas 25 prillit nuk do t’i shpëtojë asgjë”.
Por pavarësisht këtyre, Pakola u shpreh optimist për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit
“Pozitive janë fryma dhe shenjat e qarta të fitores së PD, Në çdo moment e ndjen në terren. Është si një dallgë që deri më 25 prill do të jetë një cunami”.