Raporti i Europol: Shqipëria, burimi kryesor i trafikut të kanabisit në BE

0
133

Shqipëria mbetet një burim kryesor i trafikimit të kanabisit në Bashkimin Evropian dhe kërcënim për ekonominë dhe shoqërinë e Evropës.

Në këto konkluzione del raporti mbi “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe të Organizuara” i Policisë Evropiane, e cila u publikua të hënën.

Sipas Europolit, 40 për qind e rrjeteve kriminale aktive në BE merren me tregtimin e lëndëve narkotike.

Produkti ilegal më i përhapur mbetet kanabisi, që në rastin e Shqipërisë transportohet kryesisht me rrugë detare drejt Italisë.

60 për qind e krimit të organizuar e kryen aktivitetin duke përdorur dhunën dhe po aq, korrupsionin, ryshfetin e thjeshtë deri te skemat e sofistikuara miliona-dollarëshe.

Catherine De Bolle, drejtueses së Europolit, tha se raporti i vitit 2021 tregon se të dy këta indikatorë po vijnë duke u përkeqësuar.

“Impakti i tyre te qytetarët, te ekonomia dhe te shteti i së drejtës është tepër i madh. Na duhen veprime të përbashkëta, politika të reja, të rimendojmë se si punojmë. Nuk mjaftojnë vetëm konfiskimet. Këta njerëz po shfrytëzojnë gjithçka nga shoqëria për fitim, pa respekt për jetën,” tha Catherine De Bolle.

Korrupsionin në nivel evropian vlerësohet se po e stimulon tregtia e drogës, sidomos nivelet rekord të kokainës nga Amerika Latine.

Me rastin e pandemisë, drejtuesja e Europolit thotë se grupet kriminale po përfitojë edhe prej saj, duke shitur produkte false kundër covid-19.

“Që nga fillimi i krizës kemi parë oferta vaksinash false nëpër internet. Tani i gjejmë edhe në botën fizike. Është për t’u çuditur që disa njerëz i blejnë këto vaksina jashtë sektorit farmaceutik, por ato janë rrezik për shëndetin,” tha Catherine De Bolle.

Europoli ka identifikuar pastrimin e parave, sulmet kibernetike, krimet personale, mashtrimet dhe krimet mjedisore si fenomene të tjera kërcënuese për BE-në.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here