Të dhënat personale të 1 milion votuesve, në duart e militantëve të PS

0
150
Kryeministri, Edi Rama, duke folur per gazetaret pas nje seance parlamentare, ne te cilen mazhoranca ka rrezuar me 75 vota, kerkesen e Prokurorise se Krimeve te Renda per arrestimin e ish Ministrit te Brendshem, Saimir Tahiri./r/n/r/nAlbania's Prime Minister Edi Rama speaks for the reporters, after a parliamentary session, in which the ruling majority voted against the request of the Prosecution of Serious Crimes for the former Interior Minister Saimir Tahiri arrest.

Portali Lapsi.al ka denoncuar një skandal me përmasa të mëdha. Nën ethet e mandatit të tretë, qeveria ka vendosur në duart e militantëve të saj të dhënat personale të qytetarëve të mbledhura nga portali qeveritar e-Albania, si numrin e kartës së ID, telefonit dhe në rast se e kanë ndërruar, adresën e banimit, statusin social, qendrën e punës shtet apo privat etj. Aktivistët e partive të tjera që operojnë në terren shprehen se ky është një informacion i pamundur për t’u mbledhur, pasi njerëzit e shumta deklarojnë votën, por nuk dorëzojnë ID. Prokurorë, Gjyqtarë dhe njerëz të artit dhe medias, janë futur nën patronazhin e zyrave elektorale të zonës ku banojnë. PD: Çështjen do e çojmë në SPAK, drejtësia të veprojë

Të dhënat personale të individëve të cilat disponohen vetëm nga portali qeveritar e-Albania, kanë përfunduar në duart e militantëve të PS-së, që po operojnë në terren për identifikimin e votuesve. Skandali bëhet i ditur nga portal Lapsi.al, i cili ka arritur të sigurojë një database me 910 mijë persona, që janë shpërndarë në zyrat e PS-së, në të gjithë Tiranën. Portali në fjalë raporton se të dhënat përfshijnë persona nga 19 deri në 99 vjeç, dhe në të janë regjistruar numrat e kartës së identitetit, numrat e telefonave dhe në rast se ata i kanë ndërruar, vendi i punës shtet apo privat së bashku me emrin e kompanisë, statusi social i martuar ose jo, si dhe personi që e ka marrë në patronazh nga partia, i obliguar të sigurojë informacion në lidhje me orientimin e votës. Duket se nën ethet e mandatit të tretë, qeveria po përdor çdo mjet të mundshëm për identifikimin e votuesve në shkelje të rëndë të ligjit.

Terreni
Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla me anë të një statusi në Facebook, është shprehur se të dhënat janë një database e krijuar nga trokitjet derë më derë të militantëve. “O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamunj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!”, pretendon Balla. E megjithatë, kjo vështirë të besohet. Gazeta MAPO, u interesua pranë një prej zyrave elektorale të opozitës, për të ditur a është i mundur disponimi i këtij lloj informacioni. Sipas asaj çka mësuam, në dispozicion partitë e tjera mund të kenë vetëm listat e bëra nga KQZ, sipas qendrave të votimit. “Kurrsesi s’mund të kesh një informacion aq të detajuar, me kartat e identitetit apo me numrat e telefonave në rast se nuk t’i kanë vënë në dispozicion institucionet shtetërore. Mund t’i trokasësh tjetrit në derë dhe të japë informacion rreth orientimit të votës, por kurrsesi s’mund t’i marrësh numrat e telefonit për të gjithë familjen dhe numrin e kartave të identitetit. Ne kemi vite që merremi me zgjedhjet dhe këtë informacion se kemi pasur kurrë, as kur PD ka qenë në pushtet”, shprehet një prej drejtuesve të një prej zyrave elektorale në Tiranë.

Vota
Duket qartë, se të dhënat e personave nuk janë dhënë me vullnetin e tyre. Madje në një vëzhgim që MAPO iu bëri komenteve në statusin e Taulant Ballës, njerëzit kërkonin të dinin se si ka mundësi që janë gjetur numra që janë ndërruar në javët apo muajt e fundit. Ose fjala vjen një kandidate e PS-së, në Tiranë, Dallandyshe Bici iu ka dërguar mesazh të gjithë personave që janë me origjinë nga Kukësi të zhvendosur në Tiranë, duke iu kërkuar votë krahinore meqë vetë ajo është nga ajo zonë. Ky informacion disponohet vetëm nga gjendjet civile. Rrjeti është mbushur me denoncime të tilla. Është e pamundur që një zyrë elektorale të dijë numrat e telefonave të 50 mijë personave nga një krahinë e vetme. Portali Lapsi. Al bën me dije se viktimë e nxjerrjes së të dhënave personale nuk ka mbetur as kreu i SPAK, Arben Kraja i cili ishte shënuar si votues i sigurt i PS; Elizabeta Imeraj, kryetarja e Prokurorisë së Tiranës e shënuar me preferencë të djathtë si votë e pasigurt; Genti Ibrahimi, Kreu i KLP, me preferencë PS, por si votë e pasigurt për të e kështu me radhë. Portali ka nxjerrë dhe një sërë emrash të tjerë të botës së spektaklit dhe gazetarisë të cilëve u ka rrjedhur në duart e militantëve të PS-së jo vetëm preferenca për partinë por edhe të gjitha të dhënat e tjera personale.

PD: Shkelje e privatësisë, padi në SPAK
Partia Demokratike do të dorëzojë një padi në SPAK për përdorimin e të dhënave personale në portalin e-Albania nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste. Pas sigurimit të databazës nga portali Lapsi.al, ku janë të përfshira të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës, përfaqësuesi i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për mediat duke e cilësuar një skandal të paprecedentë që cenon rëndë privatësinë e çdo qytetari. Alibeaj bëri të ditur se Partia Demokratike do ta ndjekë këtë çështje hap pas hapi në rrugë ligjore, duke dorëzuar fillimisht një padi në SPAK. “Përdorimi i të dhënave personale, numrit të kartës së identitetit, telefonit apo të dhënave të tjera personale nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS është i dënueshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve, PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje. Shqiptarët kanë nevojë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur dhe sigurisht Rama nuk mund ta bëjë këtë.

Për 8 vite ai e shkatërroi vendin dhe javët e fundit, për hir të interesit të tij, nuk kursen as të vjedhë dhe përdorë të dhënat personale të qytetarëve. Në 25 prill, kjo do të ndryshojë, shqiptarët do të kenë një qeverisje që kujdeset për ta”, – tha Alibeaj. Sipas tij përdorimi i të dhënave personale të portalit e-Albania nga Edi Rama dhe PS është shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve. “Në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania. Portali Lapsi.al ka arritur ta sigurojë këtë databazë ku janë të përfshira të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç. Dokumenti përmban të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit”, bëri të ditur Alibeaj.

MAPO

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here