Flet njeriu që nxorri skandalin me patronazhistët: Ja si e përdorin Drejtuesit Politikë të PS programin me të dhënat për 3.5 milion shqiptarë

0
324

Pas publikimit të skandalit me të dhënat personale të 910 mijë qytetarëve në Tiranë, të cilat janë përvetësuar nga Partia Socialiste, për tu përdorur për zgjedhjet e 25 Prillit , kanë dal të tjera detaje nga ky Database .

Në këtë program që ka ndërtuar Partia Socialiste me përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nuk janë të përfshirë vetëm qytetarët e Tiranës , por të gjithë Shqipërisë.

Ideatorët e modernizimit të skemës së Patronazhit kishin ndërtuar një program online të dedikuar tërësisht keqpërdorimit të informacioneve konfidenciale për 3.5 milion votues, që është funksional ende sot. Në këtë program janë të regjistruara akoma më shumë të informacione për secilin prej emrave që rezultonte në Database për Tiranën. Programi i plotë online mund të aksesohet vetëm nga pak drejtues të PS dhe njerëz të tyre të besuar dhe nuk mbulon vetëm qytetarët e kryeqytetit, por të gjithë personat me të drejtë vote në Shqipëri, pra rreth 3 milion e 500 mijë qytetarë.

Prokuroria e Posaçme u fokusua tek drejtuesit e portalit Lapsi.al në hetimet e saj për vjedhjen e të dhënave nga AKSHI, por një verifikim i thjeshtë në kompjuterat e Partisë Socialiste apo në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) mund të zbulonte shumë më tepër.

Gjithsesi, Lapsi.al kontaktoi edhe një herë burimin që na dha Database e patronazhistëve, i cili pranoi të na shpjegojë se si funksionon sistemi i plotë online i Patronazhimit. Rrëfimin e bëri duke kërkuar ruajtjen e konfidencialitetit përmes pseudonimit, që rastësisht po e quajmë DORIAN.

Ajo çfarë zbuloi është tronditëse. Përtej qyfyreve të patronazhistëve e gjitha rezulton të jetë një skemë shantazhi dhe kërcënimesh, e dirigjuar direkt nga kupola drejtuese e Rilindjes ndaj votuesve më të varfër, të papunëve, atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike, me kemp, atyre që kanë probleme me legalizimet etj. Përveç mënyrës se si drejtohet skema e Patronazhit direkt nga Drejtuesit Politikë të Partisë Socialiste, DORIAN pranoi të rrëfejë edhe mënyrën se si shantazhohet kushdo që ka një hall për të zgjidhur me shtetin. Ndiqni më poshtë rrëfimin e burimit të Lapsi.al, që zbuloi skandalin dhe tregon se ku mund të gjenden ende sot të dhënat online që janë marrë nga institucionet shtetërore.

Lapsi.al: A mund të shpjegoni si funksionon sistemi i patronazhit në Partinë Socialiste?

DORIAN: Ky sistem është krijuar fillimisht në vitin 2012, si përgatitje për zgjedhjet e vitit 2013. Në këtë kohë, sistemi kishte vetëm të dhëna të mbledhura nga Organizatat Socialiste dhe listat e zgjedhësve që merreshin nga Ministria e Brendshme dhe KQZ. Pasi PS fitoi zgjedhjet në 2013, databaza u popullua me të dhëna të ndryshme shtetërore deri sa arriti gjendjen që është sot. Aktualisht sistemi funksionon me dy nivele.

Drejtuesit Politikë kanë një sistem të veçantë tepër të sigurtë. Kjo platformë nuk aksesohet direkt në internet. Pas shkarkimit të programit bëhet edhe realizimi i lidhjes me VPN (Virtual Private Network) që të mos lihet gjurmë dhe të mos gjendet location nga po përdoret. Drejtuesve Politikë të zonës apo personave që kanë të drejtë të aksesojnë platformën. Për të hyrë në platformë shkarkohet program “Fortclient” dhe më pas aksesohet përmes linkut sistemi.ps.al. Detajet për të hyrë nuk janë kaq të thjeshta dhe për këtë arsye çdo përdoruesi i dërgohen të dhënat dhe shpjegimet përkatëse në një email si ky që po jua nis me foto, ku i dërgohet Password dhe Username për të hyrë në sistem.

L

Qendra ka dërguar edhe manuale të detajuara për ta përdorur me lehtësi këtë platformë. Drejtuesit më pas ia japin Password-in një apo disa personave të besuar, të cilët nxjerrin informacione të ndryshme nga sistemi për t’jua shpërndarë patronazhistëve.

Lapsi.al: Ky është niveli i parë i patronazhit. Po niveli i dytë?

DORIAN: Patronazhistët janë kryetarë dhe anëtarë të Organizatave Socialiste, të punësuar në shtet apo të afërm të kandidatëve në të gjithë Shqipërinë.

Çdo patronazhisti i jepet një listë me të dhëna të plota për personat që duhet të gjurmojnë, për të kuptuar se për kë votojnë si dhe nëse nuk janë “tanët”, apo janë të lëkundur, duhet t’i marrin në telefon dhe t’i takojnë për t’i bindur që të votojnë Partinë Socialiste. Kryesisht patronazhisti është banor i zonës që po patronazhon.

Kur kanë informacione, patronazhistët futen në sistemin e tyre të futjes së të dhënave, i cili gjendet online në adresën https://anetar.ps.al/#/login

Lapsi.al: Çfarë të dhenash kanë patronazhistët në sistem?

DORIAN: Në sistemin e drejtuesve që aksesohet me VPN ka gjithçka që shteti ka grumbulluar për një person. Të dhënat e përgjithshme, emër, mbiemër, ID. Pastaj të dhënat e veçanta, si adresë banimi, numër telefoni, vendin e punës, çfarë përfiton nga shteti, kemp, ndihmë ekonomike, a ka bërë ndonjë legalizim, a ka aplikuar për legalizim, a ka pësuar dëme nga tërmeti dhe nëse ka aplikuar pranë institucioneve të posaçme të ngritura për këtë qëllim, ku punon, ku ka punuar, sa e ka rrogën, nëse është pronar i ndonjë kompanie, çfarë gjobash ka, etj etj.
Këto të dhëna nxirren nga sistemi dhe ju shpërndahen patronazhistëve sipas listës së emrave.

Lapsi.al: Çfarë udhëzimesh marrin patronazhistët?

DORIAN: Drejtuesit nga qendra japin udhëzime të ndryshme ditë pas dite. Për shembull, një ditë merren me përfituesit e ndihmës ekonomike apo kempit. Personat kontaktohen dhe i kërkohet vota. Nëse nuk e premtojnë votën, kërcënohen se do ju hiqet ndihma, do t’u hiqet kempi. Një ditë kontaktohen personat që kanë përfituar legalizime apo kanë aplikuar për ndonjë legalizim. Njësoj ju kërkohet vota për “nderin” që ju është bërë, ose u premtohet që do ta zgjidhim problemin. Si rregull, ata premtojnë një numër të caktuar votash. Emrat e premtuar regjistrohen dhe hidhen në sistem. Pastaj kontaktohen nëse kanë dijeni. Nëse ka emra që dalin të pasaktë, kontaktohet përsëri personi që ka premtuar votën. Javën e fundit iu kanë dhënë udhëzim të kontaktojnë personat që kërkojnë punë kundrejt votës dhe t’u premtojnë që pas fitores së zgjedhjeve do të zëvëndësojnë të gjithë ata që dalin me PD, LSI apo të lëkundur në sistem dhe do të lirohen shumë vende pune dhe ata mund të përfitojnë./Lapsi.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here