Nga VOA-
“Në Shqipëri një incident i rëndë u rregjistrua mbrëmjen e së hënës në Kavajë, kur në një nga zyrat elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, u plagos me armë zjarri sekretari i kësaj force politike, Bledar Okshtuni 27 vjeç. Mësohet se personi që ka qëlluar është Ndriçim Jonuzi, me të kaluar kriminale, i cili mbante dhe mbiemrin Tahiri. I dënuar më parë në Itali, ai kishte vuajtur 8 vjet burgim në Shqipëri. Sipas policisë, Jonuzi “dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin Okshtuni, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve”.
Por për Partinë Demokratike, ngjarja ka qenë e provokuar dhe e nxitur politiisht. Kandidatja për deputete e PD, Grida Duma e cila mbulon pikërisht zonën e Kavajës, tha se Jonuzi, i shoqëruar dhe nga dy persona të tjerë me uniformë të Policisë Bashkiake, i ka kërkuar Okshtunit të largojë makinën dhe më pas ka hyrë në zyrën elektorale duke e qëlluar. Sipas zonjës Duma, agresori Jonuzi, është gjithashtu një biznesmen që ka fituar tendera nga Bashkia e Kavajës, e cila drejtohet nga socialistët.
Për motive politike foli edhe kryetari demokrat Lulzim Basha i cili shkoi në Kavajë, menjëherë pas ngjarjes. “Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë, një atentat kundër PD-së, kundër Aleancës për Ndryshim, nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, dhe Kavaja e Shqipëria fiton. Një njeri i cili ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor e që hesht, ndërkohë që njerëzit e tij me aktet e dhunës tregojnë se këtij rregjimi i ka ardhur fundi”, deklaroi zoti Basha duke bërë thirrje që “le t’ja japim përgjigjen këtij akti burracak, të gjithë masivisht ditën e dielë në kutinë e votimit”.
Edhe presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar duke njoftuar se do të shkonte në Kavajë në përfundim të disa angazhimeve në Elbasan”, shkruan ndër të tjera VOA.