Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me drejtues të Partisë Popullore Eropiane. Kreu i opozitës mori mbështetje të fortë nga grupimi më i madh politik europian për zgjedhjet e të dielës.
Presidenti i PPE Donald Tusk, vlerësoi programin e Partisë Demokratike dhe tha se Shqipërisë i duhet më shumë se kurrë ndryshimi. Ai gjithashtu u shpreh se Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian në mënyrë që të përmirësojë jetën dhe perspektivën. Besimin për këtë arritje, Donald Tusk e sheh tek Basha, -pasi sipas tij- kreu i opozitës është provuar se mund t’i realizoj arritjet e mëdha dhe provë për këtë kemi anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza për të gjithë shqiptarët.
Ndërsa zëvendës presidenti i Parlamentit Europian, David Mcalister, tha se përparimi drejt Bashkimit Europian varet nga reforma të qëndrueshme. Duke i cilësuar si shumë të rëndësishme zgjedhjet e 25 prillit, Mcalister shprehu besimin tek Basha se do të mundësojë çuarjen përpara të reformës në drejtësi, uljen e papunësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe marrëdhënie të mira me fqinjët dhe bashkëpunim rajonal.
“I dashur Lulzim Basha, më lejoni të them se vërtet mund të mbështeteni në përkrahjen e Partisë Popullore Europiane. Ju urojmë të gjitha të mirat për këto zgjedhje kaq të rëndësishme për vendin tuaj. Siç e dini, i dashur Lulzim, të dashur miq në Tiranë, në Parlamentin Europian po ndjekim nga afër situatën në Shqipëri.
Më lejoni të komentoj orientimin e qartë pro-europian dhe afatgjatë të PDSH-së siç e përshkroi Presidenti Tusk në fjalën e tij. Por nga ana tjetër Raporti i Parlamentit Europian thekson se përparimi drejt pranimit varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në të gjithë fushat themelore duke filluar me shtetin e së drejtës, funksionimin efektiv të institucioneve demokratike, të administratës publike si dhe ekonomisë.
Ju e dini shumë mirë i dashur Lulzim Basha se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje. Ne besojmë qe ju do te mundësoni çuarjen përpara të reformës në drejtësi, uljen e papunësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe natyrisht, marrëdhënie të mira me fqinjët dhe bashkëpunim rajonal. Këto aspekte janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit tuaj të mrekullueshëm. Për ta finalizuar, raporti shpreh qartë citimin: Zgjedhjet e 25 Prillit do të jenë jetike për konsolidimin dhe rinovimin e demokracisë shqiptare dhe arritjen e një niveli më të lartë të stabilitetit politik. Të dashur miq të PDSH-së, ju uroj në ditët e ardhshme, ju keni mbështetjen e Partitë Popullore Europiane” – tha David McAllister.