Alarmohet platforma europiane (MFRR): Gazetarët shqiptarë janë të kërcënuar, autoritetet shtetërore të marrin masa…

0
106

Mekanizmi europian, i cili ndjek, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate “The Media Freedom Rapid Response (MFRR)”, ka reaguar pas shkeljeve të vazhdueshme të së drejtave të medias në Shqipëri. Nëpërmjet një letre që i drejtohet kryeministrit të vendit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, “The Media Freedom Rapid Response” shprehet e alarmuar nga veprimet e fundit të cilat targetojnë punonjësit e mediave dhe burimet e gazetarëve në vendin tonë.

MFRR është ndalur në rastin e publikuar nga media online “Lapsi.al” të databazës që përmban emrat e 910,000 votuesve në Tiranë dhe së bashku me të dhënat e tyre personale. Duke iu referuar urdhrit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; që urdhëroi sekuestrimin e të gjitha të dhënave kompjuterike në pronësi të LAPSI.al; MFRR vlerëson se ky vendim është në kundërshtim me parimet e Këshillit të Europës dhe është një kërcënim i hapur i pushtetit të katërt.

“Mbrojtja e burimit të informacionit përbën një bazë jetike për sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe pluralist mediatik dhe kërkon angazhim proaktiv nga të gjitha strukturat shtetërore për të siguruar që ato të mbrohen. Çdo veprim që targeton burimet ose kërcënon gazetarët mund të dekurajoj të tjerët që të flasin dhe të ndajnë informacione. Këshilli i Evropës, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria, ka sqaruar përmes disa rasteve gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut se burimet e gazetarëve janë të mbrojtura. Ky incident i fundit është në kundërshtim të plotë me këto parime” thuhet në njoftim.

Platforma europiane “The Media Freedom Rapid Response” ,po ashtu, thotë se gazetarët dhe punonjësit e medias janë penguar me forcë për të pasur qasje tek zyrtarët publikë, duke përmendur këtu rastin e Isa Myzyraj, gazetarit të Ora News që u tërhoq zvarrë nga rojet e sigurisë së kryetarit apo incidentit tjetër të ekipi tjetër të punonjësve të Ora News u ndalua me forcë nga një grup i mbështetësve të kryebashkiakut të Tiranës. Të dyja këto raste nuk janë dënuar nga administrata në Tiranë, Partia Socialiste apo qeveria në përgjithësi. Sipas “The Media Freedom Rapid Response”, injorimi i vazhdueshëm i rasteve të tilla e normalizon këtë sjellje, duke dobësuar dhe rrezikuar edhe më tej sigurinë dhe aftësinë për të punuar të gazetarëve në Shqipëri.

“Në një kohë kur raportimi i pavarur, i paanshëm dhe faktik është më i nevojshëm se kurrë, MFRR bën thirrje për një kundërshtim publik ndaj tyre, por edhe fillimin e një hetimi të mirëfilltë dhe të pavarur për të siguruar që ata që ndodhen pas këtyre incidenteve të mbahen përgjegjës. Kjo duhet të përfshijë Erion Veliajn dhe rojet e tij të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet që kjo nuk do të ndodhë më.”, vijon njoftimi.

21 shkelje të lirisë së medias në Shqipëri janë konstatuar duke filluar nga 1 Marsi i vitit 2020, që tregon qartazi sipas letrës nevojën emergjente për angazhime dhe veprime të menjëhershme strukturore për të mbrojtur lirinë e medias dhe për të siguruar që çdo gazetar dhe punonjës i medias do të jetë në gjendje të raportojë në interes të publikut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here