Nga Ergys Mertiri
Karl Marks shkruante dyqind vjet më parë se njerëzimi merr përsipër vetëm aq problem sa mund të zgjidhë. Sipas tij problemi lind vetëm kur ekzistojnë kushtet për ta zgjidhur. Nëse nuk ka një zgjidhje, problemi nuk ekziston si i tillë.
Rama është pa dyshim një problem, madje më i madhi në historinë e këtyre 30 viteve. Qeverisja e tij ka qenë një dështim spektakolar, aq sa sot nuk na paraqet dot as një bilanc për të legjitimuar veten. Në këto kushte atij i duhet një alibi për të vazhduar dhe e kjo mund të bëhet vetëm duke mohuar problemin, nëpërmjet mohimit të një mundësie për zgjidhje. Pra, e vetmja gjë që i mbetet është të ushqejë perceptimin se opozita nuk është një alternativë qeverisjeje. Pra, qeverinë nuk ka kush ta zëvendësojë: “Ja iku Rama, – përsërisin vazhdimisht spinierët e tij të “paanshëm”, – kush do vijë?”
Një sërë sloganesh që vetë Kryeministri riprodhon çdo ditë në fushatë synojnë të konstruktojnë pikërisht këtë perceptim. Ai ripërsërit vazhdimisht se “mua më kini, nuk ka tjetër” apo “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, duke e paraqitur qenien e tij në pushtet si determinizëm historik. Këtë e përforcon me pohime qesharake kur thotë se pushtetin nuk e do për vete, por për shqiptarët. Janë ata që kanë nevojë për Edi Ramën dhe jo Edi Rama për ta. Mandati i tretë është vetëm një akt bujarie i një Kryeministri altruist që sakrifikon duke ndenjur në pushtet për hir të popullit, për të mos e ndëshkuar atë me ikjen e tij!
Kjo shpjegon edhe faktin, krejtësisht anormal, pse qeveria bën fushatë negative. Duke mos gjetur dot asnjë fabul për të mbajtur pushtetin, ajo përpiqet të ushqejë publikun me bindjen se opozita nuk ekziston si një alternativë. Ajo është vetëm një ogur i keq, një makth që kërcënon qetësinë, zhvillimin dhe normalitetin e vendit. Në gjuhën e Kryeministrit, opozita përfaqëson gjithçka të ligë në historinë e këtij vendi, të cilin “Zoti vetë e ka qëndisur”, sipas një projekti të mrekullueshëm, por që “dora e robit” e ka penguar. Opozita është pikërisht dora e ligë e këtij robi, që arrin të sprapsë edhe projektet hyjnore.
Problemi pra nuk është qeveria, por opozita: Ja iku Rama, kush do vijë?
Për ironi, paradokset mund ti zbulojmë më mirë duke gërmuar në kutinë e veglave retorike të vetë Kryeministrit. Kur fliste për reformën në drejtësi, pasi vendi mbeti pa gjykata, ai mendonte ndryshe: “Më mirë djepi bosh se djalli brenda”. Gjithashtu, edhe shumë analistë që mendojnë të njëjtën gjë, nuk e kanë problem të boshatisin djepin e opozitës duke e diskualifikuar atë si alternativë. Vetëm në rastin e qeverisë nuk pranohet zbrazëtia.
Paradoksi mund të rrotullohet edhe në krahun tjetër. Politika e spektaklit, e shoqëruar me këtë nivel inkriminimi të qeverisjes e bën, jo vetëm të pamundur, por edhe të panevojshme ekzistencën e opozitës si alternativë. Spektakli i mbivendoset realitetit dhe e asgjëson atë. Ai nuk njeh realitet tjetër përveç atij të spektakolarizuar dhe gjërat ekzistojnë vetëm për aq sa ato janë të shfaqshme në skenën e tij. Në kushte të tilla, një opozite i duhet të spektakolarizohet për të qenë konkurruese. Si rrjedhim asaj i duhet të zhvishet nga të qenit një alternativë qeverisëse. Oferta opozitare duhet të depolitizohet. Nëse ajo është politike, programore, ideologjike, nuk konkurron dot ndaj një qeverisjeje aspak të tillë, por thjesht spektakolare, përveç se korruptive, kriminale e autokratike.
Por, fiks në momentin kur absurdi e ka përkryer logjikën e vet, gjithçka kthehet përmbys. Në këto kushte, alternativa bëhet e parëndësishme. Një shtet i kapur plotësisht, një ekonomi e centralizuar në një dorë, një media e kontrolluar dhe mungesa e plotë e institucioneve të pavarura e funksionale, e bën të panevojshme ekzistencën e opozitës si alternativë. Rrëzimii këtij pushteti bëhet nevojë jetike duke e zhvleftësuar krejtësisht pyetjen “çfarë e zëvendëson atë?”.
Në një gjuhë anatomike, shoqëria bën atë që bën vetë trupi njerëzor në raste traumash të forta apo kërcënimesh: autofagia (vetngrënia), një mekanizëm mbrojtjeje që qeliza e aktivizon kur jeta e saj kërcënohet nga një rrezik. Ky mekanizëm bën që, kur organizmi sulmohet nga kanceri, diabeti apo parkinsoni, qeliza të ndërpresë të gjitha funksionet jojetësore në mënyrë që të ruajë energjinë qelizore për të luftuar çrregullimin. Zgjedhjet e 25 Prillit janë gjithashtu një proces autofagie ku nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç eliminimit të kërcënimit që vjen nga kjo qeverisje. Pyetja se çfarë vjen pas saj, as që vlen të shtrohet në këtë moment.