Në Shqipëri vazhdon numërimi i votave dhe i tërë vendi i jeton ethet e para shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Dhe pasi të përcaktohet fituesi i zgjedhjeve, do shihet më qartë se çka kanë fituar politikanët e çka ka humbur Shqipëria.
Sidoqoftë, popullin askush nuk mund ta akuzojë për zgjedhjen që ka bërë dhe të gjithë duhet t’i nënshtrohen vullnetit të tij politik. Pra duhet shpresuar se partitë e Shqipëria kanë arritur pjekurinë politike që me dinjitet ta bartin edhe kurorën e fitores edhe dëshpërimin e humbjes.
Më në fund, në këto hapësira, demokraci është edhe kur dy të pafytyrë e mbivotojnë të ndershmin, kur një i pasur e kontrollon vullnetin politik të shumë të varfërve, ku një i pushtetshëm i nënshtron dhe i detyron ta votojnë qindra hallexhinjë…., por kjo fare nuk do të thotë se nuk duhet ta përsërisim sa më shpesh të vërtetën se politika i zgjidh problemet që vetë ajo i shkakton dhe se. nga politika s’mund të pasurohet ai që e mbron, por ai që e shet atë që i takon popullit!
Siç nuk duhet harruar kurrë se jetojmë në kohë kur aq shumë na ka verbëruar mirëqenia personale, sa të mos e shohim se, ajo nuk vlen gjë nëse nuk dimë ta mirëmbajmë interesin kolektiv dhe atë të atdheut!”