Partitë e reja nuk arritën të marrin asnjë mandat në zgjedhjet parlamentare të 2021. Për analistin Aleksandër Çipa këto parti nuk patën kohë për të treguar fuqinë e tyre dhe nuk u shfaqën me protagonizmin e një lideri, çka si kundërpërgjigje mori ironinë e kandidatit të Nismës Thurje për qarkun e Tiranës Endri Shabani, i cili tha se i mungon karizma e Tom Doshit. Sipas tij me votat që mori Nisma Thurje në një sistem proporcional mazhoritar, do të kishin një mandat.
“Nuk e patën kohën për të treguar fuqinë e tyre, nuk u shfaqën me protagonizëm lideri, dhe mbi të gjitha të bënin diferencën. Nisma nuk e pati ndikimin për të ndërgjegjësuar elektoratin”, u shpreh Çipa.
“Më mungon karizmi i Doshit, pro e shoh pozitivisht rezultatin, por gara ka qenë e pabarabartë, në një periudhë të shkurtër kohore kemi arritur të fitojmë besimin e gati 10 mijë qytetarëve, i cili në një sistem proporzional kombëtar do të kishte një përfaqësues”, tha Shabani.
Në replikë ndaj ironisë së tij Çipa theksoi se Tom Doshi nuk është referenca e tij, por nismat e reja duan kohën e mjaftueshme për të pssur sukses.
“Kam inkurajim për forcat e reja. Nuk është referenca ime zoti Doshi, ju e patët kohën televizive më të madhe se Doshi që nuk është referenca ime. Ju e keni një sukses, ju jeni rishtarë në konkurencë dhe doni kohën e mjaftueshme”.
Në këndvështrimin e tij Shabani thotë se duhet të kultivohet votuesi dhe një model që nuk është Tom Doshi, pasi sipas e keqja është normalizuar në këtë vend. Sipas tij Nisma Thurje duhet të kishte filluar fushatën më herët, por u kushtëzua për shkak të pandemisë.
“Duhet të kishim nisur më herët, ne nisëm në fund të nëntorit për shkak të pandemisë dhe aktivitetit elektoral kërkon takime e angazhime dhe në kushte të tjera do të kishim nisur më herët. Duhet kultivuar votuesi. Ne duhet të kultivojmë një model që nuk është Tom Doshi. Ne kemi lënë pas të gjitha partitë e reja. Është normalizuar e keqja në këtë vend”.
Ai u shpreh se do të njohë rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht problemeve që u hasën, për shkak të rikthimit të besimit te demokracia.
“Problemin e kemi me sistemin dhe jo me administrimin e zgjedhjeve dhe kjo duhet të ndryshojë, por këtu ka ndërhyrje që duhen bërë për ta lehtësuar procesin. Ne na duhet të rikthejmë besimin te demokracia. Megjithëse ka pasur probleme në administrim, por njohja e rezultatit është njohje e demokracisë”.