Gazeta autoritare gjermane, Sueddeutsche Zeitung shkruan se Edi Rama i fitoi zgjedhjet në Shqipëri me presione dhe metoda të paligjshme. Lexoni më poshtë shkrimin e Florian Hassel:
Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë dhe do të sundojë i vetëm. Për Ramën kjo është fitorja e tretë radhazi. Ai e ka sunduar vendin kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që prej vitit 2013. Njësoj si zgjedhjet e shkuara, këto zgjedhje u shoqëruan nga përdorimi masiv i burimeve nga pushtetarët dhe me shumë gjasë nga blerja masive e votave.
Sipas komisionit shtetëror të zgjedhjeve, socialistët fituan 48.7 përqind të votave dhe në këtë mënyrë 74 nga 140 vende në parlament- mjaftueshëm për një qeverisje absolute për katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike e opozitës u rendit e dyta me 39.4 përqind të votave dhe 59 vende në parlament. LSI e presidentit Ilir Meta ishte në aleancë me të dhe mori 6.9 përqind të votave ose katër vende deputetësh. Rama do të vazhdonte të qeveriste gjithsesi, pasi tre deputetët e socialdemokratëve do i siguronin shumicën.
‘Praktikat e përhapura të blerjes së votave’
Megjithatë, fitorja e socialistëve erdhi vetëm përmes manovrave të paligjshme. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve panë, për shembull, se si pushtetarët e përdorën funksionin publik gjatë fushatës zgjedhore, sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, PACE. “Pretendimet për praktikat e përhapura të blerjes së votave gjatë gjithë procesit zgjedhor mbeten një problem serioz në Shqipëri,” tha shefi i delegacionit të PACE, Aleksander Pociej. “Kjo gjithashtu ka një ndikim negativ në perceptimin dhe besimin e përgjithshëm të publikut në procesin zgjedhor, siç janë stimujt e votimt dhe presioni i ushtruar mbi nëpunësit publikë,” tha Pociej.
Vetëm një nga dy votues me të drejtë vote hodhën votën e tyre. Para zgjedhjeve, vëzhguesit në qytetin e Laçit raportuan për gazetën Sueddeutsche Zeitung rreth presionit nga administrata e qytetit, e cila drejtohet gjithashtu nga partia e Ramës, ndaj zyrtarëve dhe për përpjekjet për të blerë vota.
Një media lokale raportoi gjithashtu për një abuzim masiv me bazën e të dhënave shtetërore nga socialistët në pushtet gjatë fushatës zgjedhore. Sipas mediave lokale dhe hetimeve nga prokurorët, manipulimi masiv dhe blerja e votave ka ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe 2017. Sidoqoftë kjo nuk ka pasur ndonjë pasojë juridike të prekshme.