1953/Të internuarit e fundit në kampet tela me gjemba

 

Më 1.10.1953 u urdhërua mbyllja e kampeve tela me gjemba nr.5 në Tiranë (Kamëz, fabrikës së tullave) dhe nr.6 të Tepelenës. Të dhënat kohës bëjnë fjalë se 47 të internuar punonin në Kampin nr.2 të të burgosurve Vlashuk dhe 200 në Kampin nr.5 Tiranë (Kamëz). Në kampin tjetër të Tepelenës nuk punohej, pasi atje ishin grumbulluar ata që nuk ishin në gjendje pune. Kjo është një statistikë me të cilën na njeh arkivisti e studiuesi Kastriot Dervishi…

 

 

 Më 1.10.1953 u urdhërua mbyllja e kampeve tela me gjemba nr.5 në Tiranë (Kamëz, fabrikës së tullave) dhe nr.6 të Tepelenës. Të dhënat kohës bëjnë fjalë se 47 të internuar punonin në Kampin nr.2 të të burgosurve Vlashuk dhe 200 në Kampin nr.5 Tiranë (Kamëz). Në kampin tjetër të Tepelenës nuk punohej, pasi atje ishin grumbulluar ata që nuk ishin në gjendje pune.

Kjo është një statistikë me të cilën na njeh arkivisti e studiuesi Kastriot Dervishi, i cili shkruan më te j se “zhvendosja e të internuarve nga Vlashuku për në Shtyllas u bë më 22.10.1953, disa ditë para zhvendosjes së të burgosurve. Të njëjtën ditë është bërë edhe zhvendosja e 200 të internuarve nga Kampi nr.5 në fermën “Çlirimi” Lushnjë, pikërisht atje ku rrinin “monarko – fashistët grekë”.”

 

Kampi me tela me gjemba

Menjëherë pas çlirimit nga nazi-fashistët, regjimi i ri komunist filloi hakmarrjen e tij ndaj armiqve të brendshëm politikë. Shumë prej tyre i pushkatuan ose i arrestuan dhe vetëm disa arritën të largoheshin nga vendi, duke lënë pas familjet e tyre. Hakmarrja e regjimit u shtri kështu në familjet e kundërshtarëve, për të cilët u ndërtuan kampe të vërteta përqendrimi. Në mungesë të një përkufizimi zyrtar dhe një legjislacioni që t’i legalizonte (i cili u miratua vetëm në vitin 1949), këto qendra mizore internimi sot quhen “kampe me tela me gjemba”.

Dy kampet e para janë ndërtuar në mars 1945 në Krujë dhe në Berat. Kampet e rrethuara me tela me gjemba dhe të mbrojtura nga roje të armatosura, ndërtoheshin në bazat e vjetra ushtarake italiane, depot e braktisura ose kasollet prej druri, në kushte të tmerrshme higjienike.

Ata që u deportuan në kampet e përqendrimit ishin trashëgimtarë ose të afërm të të arratisurve, të  burgosurve politikë, ose të

partizanëve të dezertuar nga ushtria komuniste. Pra internoheshin persona që nuk ishin drejtpërdrejt fajtorë, por ishin të afërm të

personave të padëshiruar të regjimit. Ka pasur edhe shumë të huaj (kryesisht monarko-fashistë grekë, nazistë gjerman dhe fashistë

italian). Të burgosurit e kampeve të përqendrimit detyroheshin të punonin në kushte çnjerëzore, me pak ushqim dhe pa asnjë lloj

kujdesi shëndetësor. Shpesh ata flinin në tokë, ndonjëherë pa batanije dhe pa patur të drejtën që të ndiznin zjarr.

Me internimet, në vitet 1945 – 1949, janë marrë forcat e ushtrisë, kryesisht Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, forca operative e diktaturës. Në vitin 1949 doli dekreti i parë i internimeve dhe filloi punën Komisioni i Internimeve dhe Konfiskimeve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kampe përqendrimi të këtij lloji janë ndërtuar në 9 zona të ndryshme të Shqipërisë deri në vitin 1953, kur u mbyllën dhe u zëvendësuan nga kampet e internimit. Më i madhi dhe më famëkeqi nga kampet me tela me gjemba ishte ai në Tepelenë (1949-1953), të cilin e denoncoi edhe qeveria Amerikane në OKB në vitin 1955. Të krahasueshëm me kampet naziste për nivelin e mizorisë me të cilin trajtoheshin banorët e tij, kampet e përqendrimit shqiptarë ishin të banuara kryesisht nga gra, të moshuar dhe sidomos fëmijë, të cilët ishin fëmijët e të internuarve.

Të dhënat e shtatorit 1947 të cituara nga studiuesi shqiptar Kastriot Dervishi, flasin për shembull se në të dy kampet e internimeve të Krujës e Beratit ndodheshin 895 të internuar, prej të cilëve 193 burra, 324 gra dhe 372 fëmijë. Tmerri i kampeve të përqendrimit vazhdon edhe sot të jetë një njollë e errët në historinë e komunizmit shqiptar, pasi mungon pothuajse tërësisht dokumentacioni zyrtar. Sipas llogaritjeve të fundit, bazuar në dokumentet e pakta të gjetura, në këto kampe ishin izoluar mbi 3000 persona, shifër kjo, që nuk përfshin fëmijët. Ata që vdiqën në këto kampe, nga sëmundjet apo uria, numërohen me qindra, por edhe ky numër ende nuk njihet saktësisht.

 

’49-‘53/ 238 të internuar vdiqën në kampet tela me gjemba

Më herët arkivisti Kastriot Dervishi nxitur nga kakofonia e të dhënave të saktë dhe kontradiktore mbi kampet tela me gjemba, për kohën e funksionimit të tyre dhe vdekshmërinë shënon se: “Gjithsej të vdekur në vitet 1949-1953 në të gjitha kampet e këtilla ishin 238 persona. Kryesisht kjo vdekshmëri regjistrohet në kampet e Tepelenës, Porto Palermos dhe Valiasit (përfshi zhvendosjen e Cërrikut). Kampet tela me gjemba administroheshin vetëm nga Drejtoria e Policisë Popullore dhe organet e saj të varësisë, qendrore apo vendore. Në kampet e internimit vdiqën: -Në vitin 1949, 51 të internuar; Në vitin 1950, 53 të internuar; Në vitin 1951, 93 të internuar; Në vitin 1952, 23 të internuar; Në vitin 1953, 18 të internuar.

Të dhënat statistikore zyrtare nuk janë të plota në lidhje me vdekshmërinë kamp për kamp, gjinisë apo moshave, por ekzistojnë në tërësinë e tyre. Bën përjashtim viti 1949, kur është regjistruar kjo statistikë: Në kampin nr.3 të Valiasit kanë vdekur gjithsej 12 të internuar (1 burrë, 3 gra dhe 8 fëmijë); Në kampin nr.4 të Tepelenës kanë vdekur gjithsej 43 të internuar (3 burra, 12 gra dhe 28 fëmijë)”.

Derishi sjell modelin e kampit të internimit të Tepelenës, për të cilën thotë se “ka pasur dy numra, 4 dhe 6. Batalioni nr.84 i Brigadës së Sigurimit të Shtetit, nuk ka lidhje fare me objektin në fjalë kur ai ka shërbyer për të strehuar të internuarit. Pas largimit të të internuarve në vitin 1953, godina është përdorur për qëllime të ndryshme. Njihet fakti se së fundi ajo ka qenë komanda e brigadës sulmuese Tepelenë, njohur ndryshe edhe si reparti nr.9.400. Të dhënat që për fat të keq po përsëriten e interpretohen në mënyrë të gabuar nga institucione shtetërore, së pari zmadhojnë kohën e ekzistencës së këtij kampi duke e deklaruar në vitet 1948-1954 kur në fakt ka ekzistuar në vitet 1949-1953 (madje vitet 1949 dhe 1953 nuk janë të plota).

Pjesa më e madhe e të internuarve që nuk u liruan nga kampet tela me gjemba u vendosën në kampin nr.5 në fermën “29 nëntori” Plug Lushnje. Këtu kemi ndryshimin pas dy vjetësh nga kamp internimi në vend internimi, sepse nuk ekziston më njësia e parë. Këtë nuk e kuptojnë ata që po bëjnë “kërkime të thelluara” e nuk po gjejnë atë që në mënyrë të gabuar përfytyrojnë.

 

Rrëfimi nga kampet

“Ajo që ishte më interesante në atë kamp, pa llogaritur punën e tmerrshme në ujë deri në gjoks, pa llogaritur urinë, ishin policët e brendshëm. Pra në kamp kishte dy kategori policësh: Të jashtëm dhe të brendshëm, megjithëse ne, nga puna në kamp, ktheheshim kur perëndonte dielli. Në atë kamp kishin sjellë edhe një kriminel që kishte qenë oficer madhor, me luftën, por kishte bërë një vrasje e s’kishin si t’ia bënin, dhe e dënuan dhe e prunë aty. Ai ishte komunist, quhej Hamdi Lemo. Në kamp ndihmonte policinë. Më kujtohet fare mirë, në kazermë, kur përdorte një shkop, të cilit i kishte vënë gozhdë në fund…” – këtë kujtesë të tmerrshme, Lavdosh Beqo, nga Vlora, të cilin kur e dënuan qe përfshirë në “Grupin e gjimnazit Ali Demi”, ishte 17 vjeç dhe bëhet fjalë për vitin 1950. Atë vit të arrestimit të tij, ishin lëshuar provokacionet greke apo hedhjet e bandave të diversantëve, kështu dhe këta djem të rinj krijuan “aktivitetin” e tyre, duke shpërndarë trakte derisa u zbuluan, u arrestuan dhe më pas u dënuan. Beqo u dënua me 18 vjet heqje lirie. Në ciklin “Zërat e kujtesës” me intervista, shënime memuaristike me të mbijetuarit e diktaturës, me të cilët biseduan Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, Beqo kujton torturat në burg, jetën në kampet e punët e rënda. Fillimisht i dënuar në kampin e punës në Maliq, Beqo pas një varg vuajtjesh përfundon në burgun e Burrelit, ku ka një situatë kujtese mjaft komplekse, jo vetëm në njohjen me personalitetet politike të dënuar, që kishin refuzuar regjimin e Enverit, por edhe njohja dhe sjellja e dëshmive tronditëse të disa emrave të priftërinjve të dënuar. Është një rrëfim i gjatë, që përshkruan me detaje gjithë kalvarin e 20 viteve burg, ndërsa jemi ndalur në disa momente që lidhen me ngjarje të panjohura, anë të errëta dhe dëshmi të drejtpërdrejta, që Beqo ka jetuar vetë. Një nga këto raste është peticioni që u erdhi në burgun e Burrelit për t’u firmosur, përmes së cilës të burgosurit politikë duhej të ngushëllonin gruan e diktatorit, Nexhmijen. Kundërshtimi pati kosto në dënimin e të burgosurve të Burrelit, ndonëse për çudi kaloi pa shumë reprezalje. (Këtë histori e japim më poshtë, të plotë të rrëfyer nga Lavdosh Beqo). Por në veçanti, Beqo na tërheq vëmendjen për rastin kur Visarion Xhuvanin, prift ortodoks, e kanë torturuar në burg. Vetëm pse ishte një nga themeluesit e Kishës Autoqefale shqiptare, kryetari i degës së atëhershme, me emrin Dhosi Progri nga Korça, kujton Beqo, e ka torturuar në mënyrë çnjerëzore: Ia kanë shkulur me pincë një nga një qimet e mjekrës, ose e vinin mbi tarracë në mes të korrikut, dhe i vinin rreth e rrotull copa letrash, mbeturina e shkresa zyrtare, të cilave u vinin flakën më pas. “Nga zjarrmia e tarracës i nxehti i korrikut, dhe letrat e ndezura përqark, atij i binte herë pas here të fikët dhe binte mbi zjarr”.

Ndërsa ka rrëfyer torturat në hetuesi, si ishte afër vdekjes kur duart e tij ishin lidhur jo vetëm me pranga, por edhe me tela. “Kur më merrnin në pyetje, natën më mbanin në këmbë të lidhur dhe hetuesi pyeste e unë s’përgjigjesha se më merrte gjumi e bija top në shesh, në çimento. Edhe në hetuesinë e dytë kështu më ka ndodhur, ndërkohë që hetuesi lexonte libra. Më merrnin natën sepse hetuesit i paguanin orë jashtë orarit kur punonin në orë të vona”.

I vendosur fillimisht në kampin e Maliqit, ja çfarë kujton Beqo: “Ajo që ishte më interesante në atë kamp, pa llogaritur punën e tmerrshme në ujë deri në gjoks, pa llogaritur urinë, ishin policët e brendshëm. Pra në kamp kishte dy kategori policësh: Të jashtëm dhe të brendshëm, megjithëse ne, nga puna në kamp, ktheheshim kur perëndonte dielli. Në atë kamp kishin sjellë edhe një kriminel që kishte qenë oficer madhor, me luftën, por kishte bërë një vrasje e s’kishin si t’ia bënin, dhe e dënuan dhe e prunë aty. Ai ishte komunist, quhej Hamdi Lemo. Në kamp ndihmonte policinë. Më kujtohet fare mirë, në kazermë, kur përdorte një shkop, të cilit i kishte vënë gozhdë në fund. Një mëngjes na zgjonte që në katër të mëngjesit, kur ishim të vdekur, dhe ai na qëllonte me të sa mundej. E ka qëlluar aq fort në kupë të gjurit Balto Vlashin nga Durrësi, aq sa e la sakat. Polici i brendshëm që quhej Njazi Sala, ishte i çmendur. I çmendur me plot kuptimin e fjalës. Mendoje që një i çmendur trajtonte 1500 të burgosur. Një polic tjetër i binte bilbilit që të zgjoheshim…kur ky Njaziu futej në kazermë e na qëllonte barbarisht. Më ka qëlluar njëherë në këmbën e djathtë, sa nuk u thye, prej saj edhe sot unë mezi eci.”

Lavdoshi tregon se i ka provuar pothuaj të gjitha kampet e Shqipërisë. Nga Maliqi në Gosë të Kavajës, Ura Vajgurore e me radhë në burgun e Burrelit…..

Në këtë burg ai ka rrëfimet më të gjata, duke kujtuar personalitetet shqiptare të persekutuar, intelektualë e priftërinj. Në këtë rast ai kujton dënimin e Dom Shtjefën Kurtit, duke treguar nga rastet e rralla se si u vinte vdekja atyre që kishin marrë dënimin kapital, me heqjen e jetës. Ja si sjell në memorie këtë personazh: “Komunistët ndiqnin një taktikë, pasi të kishin arrestuar, të kishin torturuar, të kishin dënuar, në fund të thoshin: Na thuaj fjalën e fundit. Ç’ishte kjo fjalë e fundit? Sigurisht të dënuarve me vdekje u dhimbsej jeta. Por, ata e kishin bërë zakon: ia kërkonin kujtdo këtë. Dhe po të thoshe kërkoj mëshirë, ti e kishe pranuar automatikisht fajin. Disa nganjëherë tregoheshin të dobët, dhe e kërkonin mëshirën. Të njëjtën gjë bënë edhe me Dom Shtjefën Kurtin – I kërkuan fjalën e fundit. Ai u ngrit e tha: “Zotëri, unë e falënderoj Zotin që më thërret pranë vetes së tij, pikërisht nga kjo sallë e nga kjo kishë, që unë e kam ndërtuar bashkë me këta që keni mbledhur këtu, e ku unë kam shërbyer” Dhe u ul. Nuk është aq e lehtë ta bësh këtë… Nuk e di nëse do e kisha bërë unë, po të isha në vendin e tij…”

 

 

 

Box gri

Kampet tela me gjemba sipas kohës që kanë ekzistuar në vitet 1945-1953:

-Kampi i Krujës, 1945-1947

-Kampi i Beratit, 1945-1949

-Kampi nr.3 (më pas nr.5), Valias, Cërrik, Tiranë, 1948-1953

-Kampi nr.4 (më pas nr.6) Tepelenë, 1949-1953

-Kampi i Porto Palermos, 1950

-Kampi i Lozhanit, 1949

-Kampi i fermës “29 nëntori” Plug, Lushnje, 1950

-Kampi i fermës “Çlirimi” Fier, 1950

-Kampi “Lufta e Vlorës” Llakatund, 1950

Kampe të tjera:

-Kampi i Kuçit 1954-1958

-Kampi nr.2 Shtyllas, 1953-1954 (pjesërisht, sepse ishte kamp të burgosurish)

-Kampi nr.5 në fermën “29 nëntori” Plug, Lushnje, 1953-1955

 

 

 

 

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko