Këtë të dielë, besimtarët ortodoks kremtojnë festën e Pashkës. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka shpërndarë mesazhin e tij se e kremtja e Pashkës na fton plot hare të shkëlqejmë nga gëzimi, të çliruar nga robëria e pasioneve vdekjeprurëse, nga çdo element i errët, i fshehur në thellësinë e egos sonë.
Mesazhi i plotë
E kremtja e tërëndritshme e Pashkës na fton plot hare të shkëlqejmë nga gëzimi, të çliruar nga robëria e pasioneve vdekjeprurëse, nga çdo element i errët, i fshehur në thellësinë e egos sonë. Ngjarjet e kryqëzimit të Krishtit nuk lidhen vetëm me vuajtjen e frikshme mbushur plot padrejtësi dhe ligësi të pafund, por, mbi të gjitha, ato janë të lidhura me një urrejtje të jashtëzakonshme të udhëheqësve fetarë, të cilët vunë në lëvizje armiqësinë e pakontrolluar të turmës. Por, të gjitha këto u mposhtën me anë të Ngjalljes së Krishtit, pa zhurmë shurdhuese dhe me paqe.
Ngjallja shpall një fitore shumë të rëndësishme mbi vdekjen, planet tinëzare dhe pasionet vdekjeprurëse: mbi smirën, gënjeshtrën e mbi të gjitha mbi urrejtjen me variantet e saj të shumëllojta, mbi kujtimin e së keqes, hakmarrjen, djallëzinë, të cilat janë të pranishme në të gjitha epokat dhe në të gjitha shoqëritë. Urrejtja e infekton jetën e njerëzve në familje, jetën fetare dhe politike; ajo infekton marrëdhëniet midis kombeve dhe, për pasojë, prodhon konflikte të paparashikueshme. Edhe sot, në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet.
Vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë. Në lutjen e shkurtër, që u la nxënësve të Tij, Ai vuri në buzët e të gjithë anëtarëve të Kishës së Tij një marrëveshje të përbashkët: “dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë” (Matth. 6:12). Duke theksuar madhështinë dhe gjerësinë e dashurisë, që e shfaqi me mësimin dhe veprën e Tij, Jisu Krishti predikoi një kryengritje paqësore.
Ai i ftoi të gjithë pasuesit e tij të falin dhe të duan armiqtë e tyre: “Por unë po ju them juve: Duajini armiqtë tuaj… bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri…” (Matth. 5:44). Për më tepër, i parapërgatiti duke u dhënë një paralajmërim befasues: “Të lumur jeni ju, kur t’ju kenë mëri njerëzit… për shkak të Birit të njeriut” (Llk. 6:22). Dhe në përfundim, këtë parim themelor të krishterë e vulosi me lutjen e Tij të fundit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë” (Llk. 23:34) Nga ai çast, falja u bë kromozomi kryesor i jetës së të krishterit të ndërgjegjshëm.
Zakonisht, shumë nga ne përpiqemi ta shmangim këtë parim dhe porosi ungjillore themelore. Ngulim këmbë në të drejtën tonë dhe nxjerrim si pretekst dinjitetin vetjak dhe rrezikun që na vjen nga ata që na luftojnë. Pavarësisht nga kjo, liri më e madhe se falja nuk ekziston.
Por nuk mjafton që ne të çlirohemi personalisht nga efektet anësore të urrejtjes; është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh, për çtensionimin e polarizimeve, të konflikteve dhe të varianteve të shumëllojta të urrejtjes. Të lumur janë ata që, me fjalën dhe jetën e tyre, arrijnë të zbusin përçarjet, antitezat, armiqësitë, duke kultivuar pajtimin. Të bekuar janë ata që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Ai, i Pari, e mori iniciativën për të dhënë jetën e Tij si “shpërblim për shumë veta”. Të bekuar janë ata që kërkojnë “dashurinë e Tij që kapërcen çdo mendje”. Kështu, këta e tregojnë me vepra se janë me të vërtetë “bij të Ngjalljes”.
“Ditë e Ngjalljes dhe le të ndriçohemi” me dritën paskale të dashurisë, e cila mposht çdo lloj urrejtjeje, duke na falur lirinë shpirtërore. Ky himn përsërit fjalët e shën Grigor Theologut, i cili vazhdon më tej: “Le t’i falim të gjithë në ditën e Ngjalljes, edhe ata që na urrejnë, dhe jo vetëm ata që, të shtyrë nga dashuria, na kanë bërë të mira apo që u kemi bërë ne mirë” (PG 35, 397).
Dhe kështu do të kemi mundësinë dhe të drejtën të psalim “Krishti u ngjall!”. Duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga e kremtja e tërëndritshme e Pashkës, që mbi të gjitha është e kremtja e pajtimit universal, le të përpiqemi të paqësohemi personalisht, duke falur madje edhe ata që na urrejnë, edhe nëse kjo na duket e vështirë.
Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e jetës mbi vdekjen e mbi gjithë pasionet shkatërrimtare dhe na fton të shijojmë çlirimin tonë nga pushteti i tyre. Dhe në një botë që përpëlitet nga armiqësi vdekjeprurëse dhe nga pandjeshmëria, le të bëhemi luftëtarë kundër urrejtjes dhe varianteve të saj të shumëllojta. Dhe, me besim të palëkundur, le të përpiqemi që të forcohet bashkimi, pajtimi, dashuria, uniteti, bashkekzistenca harmonike e njerëzve dhe e popujve. Krishti u ngjall, vëllezër dhe motra. Me shëndet të fortë dhe shpresë gjatë periudhës së turbullt të pandemisë, dhe me lirinë e Ngjalljes në shpirtin tonë!