Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, deklaron se do të jetë e afërt koha që do të vërtetohet që 25 prilli ishte ditë zie për demokracinë shqiptare.
Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Biberaj thekson se pavarësisht se demokratët punuan të gjithë së bashku në të gjithë Shqipërinë për fitore, “grupi i strukturuar kriminal” me emrin “rilindje” i kishte marrë masat me kohë dhe me vakt, duke realizuar blerjen dhe manipulimin më të madh të votave gjatë këtyre 30 viteve pluralizëm.
Nga ana tjetër, thotë Biberaj, kuptohet që ka nevojë për një analizë të brendshme, të detajuar në PD të punës dhe rezultatit, si dhe për një reflektim dhe reformim të thellë.
Dhe në fund të mesazhit të tij për demokratët që sot janë të shokuar, të dëshpëruar, të zhgënjyer, Aleksandër Biberaj shprehet se duhet të gjejmë forca për t’u ringritur, pasi vendi ka nevojë për ne, “liria dhe demokracia kanë nevojë për ne”, shton Biberaj.
“Falënderim, respekt dhe mirënjohje për të gjithe demokratët që punuan me mish e me shpirt për të fituar me 25 prill! Të dashur miq, tani që përfundoi procesi i numërimit dhe dolën edhe rezultatet përfundimtare për parti/koalicione dhe individë, është më se e qartë se çfarë masakre ka ndodhur me datën 25 prill në zgjedhjet parlamentare politike. Natyrisht, që ne demokratët punuam të gjithë së bashku në të gjithe Shqipërinë për fitore, por “grupi i strukturuar kriminal” me emrin “rilindje” i kishte marrë masat me kohë dhe me vakt, duke realizuar blerjen dhe manipulimin më të madh të votave gjatë këtyre 30 viteve pluralizëm. Koha dhe provat do të tregojnë se 25 prilli ishte një ditë zie kombëtare, ku u regjistrua edhe krimi me i madh elektoral i tranzicionit shqiptar. Nga ana tjetër, kuptohet që ka nevojë për një analizë të brendshme, të detajuar në PD të punës dhe rezultatit, si dhe për një reflektim dhe reformim të thellë, por besoj se sot demokratët kanë nevojë më shumë se për gjithçka për falënderim, nderim, respekt dhe mirënjohje për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj fushate elektorale, gjë që u kurorëzua edhe me një rritje të rezultatit, por fatkeqësisht jo me fitoren aq të dëshiruar dhe të shumëpritur të zgjedhjeve. Ne si demokratë natyrisht që sot jemi të shokuar, të dëshpëruar, të zhgënjyer, por përsëri do të gjejmë forca për t’u ringritur, pasi vendi ka nevojë për ne, liria dhe demokracia kanë nevojë për ne. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një pasuri kombëtare, ku ne të gjithë demokratët jemi aksionerë, por njëkohësisht kemi edhe përgjegjësitë tona përpara kombit për sot dhe për nesër! I madhi Ndre Mjeda ka thënë se: “Edhe 99 herë po të rrezohem përsëri do të çohem”; dhe një fiilozof i shquar ka shtuar po ashtu se: “Fuqia e një burri nuk matet sa herë rrëzohet, por me shpejtësinë me të cilën çohet”! Zoti na bekoftë ne dhe të gjithë ata shqiptarë që janë misionarë në mbrojtjen e demokracisë, të lirive dhe të drejtave tona themelore, si dhe çështjes tonë kombëtare! E drejta do të triumfojë shpejt!”, shprehet ish-deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj.