Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një foto të gjyqtares së Apelit të Vlorës Iliba Bezati, e cila shfaqet bashkë me disa persona të tjerë që mbajnë kapele me yll të kuq – simbol i komunizmit.
Teksa i referohet një mesazhi për të cilin tregon se ka ardhur në adresë të tij, Berisha thotë se personazhet në foto po festojnë fitoren e PS-së në zgjedhje.
“Gjykatëset që kalojnë vetingun, festojnë fitoren e PS me yll të kuq në ballë! Kjo është IIiba Bezati Qirko, kryetare e gjykatës së Apelit Vlorë, kunata e famozes Pamela Balluku, motrës së Ndrikull Grykësisë apo Belinda Balluku. Iliba kaloi në kundërshtim me çdo ligj vetingun me urdhër të Edi Ramës dhe ndihmën e kunatës Pamelës”, shkruan Berisha në komentin që shoqëron foton e publikuar bashkë me mesazhin e ardhur në adresë të tij.
Në mesazh, shkruhet:
“Kjo është drejtësia jonë e depolitizuar. Kryetare e gjykatës së Apelit Vlorë Iliba Bezati Qirko, kunata e Pamela Qirkos e cila kaloi vetingun me ndihmën e kunatës dhe me urdhër të Edi Ramës, në fushatë për PS me shoqet ilegale me kapele me yll në ballë. Foto është bërë në Krujë pas datës 25 prill. Festojnë fitoren e partisë.
Këtu me poshtë keni dy artikuj të gazetarëve seriozë investigativë që dëshmojnë se vendi i gjykatëses kunatë ishte në burg për një seri shkaqesh të renditura nga ILDKP dhe DSIK. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmbysi raportet negative të institucioneve ndihmëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës: Artikulli 1, Artikulli 2″.
BoldNews raportoi një ditë më parë se si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka bërë përpjekje “titanike” për të justifikuar një seri të gjatë problemesh të konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit, para se të konfirmonte në detyrë gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati, njëkohësisht kunata (motra e bashkëshortit) e drejtueses së institucionit të Vetingut, Pamela Qirko.