Nuk lëvizin shifrat e COVID-19, Dasho: Drejt imunitetit të tufës! Ecuria e vaksinimit në rrethe…

0
127

Për të dymbëdhjetën javë, shifrat e COVID19 në vend vijojnë të mbeten stabël. Me më pak se 100 raste të reja në ditë, diçka më shumë hospitalizime e fatalitete që numërohen me gishtat e njërës dorë.

Mjeku epidemiolog Erion Dasho ka një shpjegim për këtë, të cilin e lidh me dy faktorë: imunitetin natyror dhe rritjen e temperaturave.

“Shqipëria është shumë pranë imunitetit të grupit, ku vlerësohet se midis 60 dhe 70 për qind e popullatës adulte e kanë kaluar tashmë infeksionin. Për shkak se shkollat kanë qenë hapur gjatë gjithë vitit, nuk përjashtohet mundësia që edhe një numër i konsiderueshëm fëmijësh ta kenë kaluar tashmë infeksionin me apo pa simptoma dhe të kenë zhvilluar imunitet ndaj tij.

Së dyti, në Shqipëri ka nisur tashmë vera mesdhetare. Gjatë verës së kaluar u parashikua nga ekspertët e ‘Johns Hopkins’ dhe u vërtetua në praktikë një rënie deri në 30% e eficiencës së transmetimit të virusit. I njëjti fenomen do të konstatohet edhe këtë vit duke parashikuar një verë të qetë, nëse në vend nuk do të hyjnë mutacionet e reja të koronavirusit”.

Eksperti i Shëndetit Publik hedh poshtë “nostradamët” që parashikojnë rritje të shifrave në mes të muajit maj, pas fushatës elektorale me grumbullime e lëvizje të shtuara.

Sipas Dashos, do të ketë një rritje të lehtë dhe të përkohshme, e cila do të kalojë shpejt, falë dy faktorëve të lartpërmendur.

SITUATA

Treguesit e situatës infektive në vend luhaten në të njëjtat nivele edhe këtë të enjte. Tre persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në vend si pasojë e koronavirusit, ndërsa janë regjistruar 91 raste të reja infeksioni.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se nuk kanë mundur të fitojnë betejën me COVID-19: 2 qytetarë nga Korça, 1 qytetar nga Shkodra, të moshave 52-83 vjeç. Ndërkohë, rastet e reja të infeksionit u regjistruan në: 23 raste në Tiranë, 8 në Korçë, 7 në Shkodër, nga 5 raste në Devoll Sarandë, Malësi e Madhe, nga 4 raste në Lushnje, Mirditë, nga 3 raste në Durrës, Kurbin, Mallakastër, Gjirokastër, nga 2 raste në Elbasan, Berat, Librazhd, Kamzë, Pogradec, Memaliaj, Skrapar, nga 1 rast në Lezhë, Delvinë, Gramsh, Maliq.

Ndonëse drejtori i “Shefqet Ndroqit” foli për rritje të shtrimeve, totali i shtrimeve në të gjitha spitalet COVID nuk i kalon 111.

Numri i vatrave, sikundër edhe totali i rasteve aktive ka ardhur duke u pakësuar ndjeshëm për shkak se prej ditësh, raporti i të shëruarve me të infektuarit e rinj është shumëfish më i madh.

Që nga fillimi i pandemisë në vend, numri i rasteve të infeksionit ka shkuar në 131,510, ku raste aktive janë 131,510. Fatkeqësisht, numri i viktimave ka shkuar në 2,406.

Ecuria e vaksinimit në rrethe, “Jugu” më i mbrojtur

Edhe kur bëhet fjalë për procesin e imunizimit bëhet ndarja Veri-Jug. Në shpërndarjen e dozave të vaksinave në rrethe, ekspertët thonë se janë bazuar mbi numrin e të moshuarve që ka çdo qytet dhe në këtë aspekt, gjysma e poshtme e hartës së Shqipërisë rezulton më e imunizuara.

Këtë e thotë përgjegjësja e programit kombëtar të vaksinimit, Erida Nelaj.

“Pjesa e Jugut ka popullatë të moshuar dhe automatikisht ka krijuar mbrojtje më të shpejtë të popullatës se në atë kontingjent popullate që ka Tirana, që është njësia vendore e kujdesit shëndetësor me vaksinimet më të larta, por duket ende larg të zbresë fasha moshore, pasi popullsia është shumë e madhe dhe shumë e përhapur”. Janë gjashtë rrethe me mbulesën më të lartë vaksinale, që përveç nevojës, kanë arritur të ezaurojnë në kohë sasitë e marra me dozat e vaksinave.

“Sasitë e vaksinave shpërndahen për çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor, në varësi të popullatës që ata mbulojnë dhe fashës moshore dhe ne kemi ecur shpejt për sa i përket fashës 60 plus. Ka njësi vendore të kujdesit shëndetësor që kanë ecur mirë si Gjirokastra, Fieri, Vlora, Mirdita që kanë arritur të konsumojnë shumë shpejt sasinë e vaksinës së marrë”.

Ndonëse në aparencë duket sikur kryeqyteti ka thithur dozat më të mëdha të vaksinave me procesin masiv në sheshin “Skënderbej”, përqindja e injektimeve në raport me numrin e popullsisë mbetet e ulët, pasi shumica e qytetarëve janë në moshë të re. Nga më shumë se 730 mijë doza të mbërritura në Shqipëri që nga 11 janari, kur startoi procesi në vend, deri dje janë ezauruar 557 mijë e 762. Kjo shifër nuk nënkupton numrin e imunizuarve.

Janë vetëm një e pesta e tyre që kanë arritur të marrin të dyja dozat e “Coronavac”, për efektivitetin e të cilës ka ende shumë rezerva. Dy studimet e para flasin për nivel të ulët besueshmërie.

Vaksina me të cilën është masivizuar procesi dhe po injektohet te të moshuarit është tradicionale dhe si e tillë, efektet e saj anësore janë shumë të pakta. Këtë dëshmojnë edhe ata që e kanë kryer dozën e parë. Por doza e dytë ka më tepër impakt.

“Me dozën e dytë personat duhet të presin më shumë efekte anësore, si lodhje trupore dhe temperaturë të lehtë”, thotë Nelaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here