Që prej shpalljes së Covid-19 si pandemi globale, shumë biznese “mashtrojnë” apo abuzojnë me nevojën e shqiptarëve për të shkuar në shtetet e BE-së. Në Rinas, nuk kalon dot pa një dokument që vërteton se je negativ në tampon (tampon i shpejtë apo normal). Një farmaci që ndodhet jashtë aeroportit të siguron përgjigjen e tamponit të shpejtë dhe ta jep pa e bërë ekzaminimin, kundrejt 30 eurove.Pra pa bërë tampon, merr përgjigjen menjëherë, ku rezulton negativ.
Fiks Fare ishte vënë në dijeni nga dy qytetarë të moshuar të cilët kishin udhëtuar dhe se për të kaluar në Rinas drejt destinacionit të tyre, i kishin adresuar në një farmaci në aeroportin e Rinasit, tek farmaci Arsi, ku mund të siguronin tampon të shpejtë me përgjigje negative dhe të vazhdonin udhëtimin e tyre.
Fiks Fare iu drejtuan kësaj farmacie. Gazetarja i drejtohet farmacistes se është e interesuar për një test covidi me përgjigje negative, pasi do të udhëtonte jashtë shtetit. Njësoj siç kishte berë me çiftin e të moshuarve që kishin udhëtuar disa ditë më parë, që në këtë rast ishin prindërit e gazetares. Farmacistja veproi si në rastin e parë shënoi në një copë letre të dhënat personale të personit që supozohet se kishte kryer testin. Sëbashku me përgjigjen negative e futi në një qese të vogël farmacie të shoqëruar me testin plastik që rezulton negativ. I gjithë procesi zgjati në më pak se 3 minuta dhe gazetarja e Fiksit nuk bëri asnjë test apo tampon vetëm pagoi 30 euro.
Fiksi: Si kaluat? Do ma bësh çik atë të testit si ma bëre për mamin dhe babin?
Farmacistja: Po. Do ikësh edhe ti?
Fiksi: Po.
Farmacistja: Na tradhtove ëëëë?
Fiksi: Jo mi jo, unë jam kështu vajte-ardhje vetëm ma bëj ashtu siç ma bëre atë.
Farmacistja: Aaa që e bëra kështu…..
Fiksi: E mi që e bëre ashtu. Na e kanë bërë me detyrim na çmëndën.
Farmacistja: Të japin një letër ata për të plotësuar, atë e do që je negative se ato e regjistrojnë në sistem.
Fiksi: Po atë se shyqyr më kaloi mami dhe babi, thjesht ma shkruaj aty negative.
Farmacistja: Emër dhe mbiemër.
Fiksi: Ja ja zemër se e ke aty te pashaporta thjesht ma shkruaj aty.
Farmacistja: F…
Fiksi: Po. Po sa mirë që ju lejnë që t’i bëni kështu shpejt e shpejt. Negativ ëëë?
Farmacistja: Po
Fiksi: Sa bënte kjo?
Farmacistja: 30 euro. Faleminderit dhe udhëtim të mbarë.
Fiksi: Shyqyr që mbarojmë punë shpejt e shpejt. Faleminderit e mirupafshim.
Farmacistja: Kalofsh mirë!