Pas muajsh të tërë lufte me pandeminë e koronavirusit, Evropa më në fund ka shtuar ritmin e vaksinimeve ndërsa ekonomitë po mëkëmben. Vendet evropiane po dalin nga bllokimet dhe po rihapin kufijtë e tyre për turistët e huaj. Por siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant nga Parisi, ende ka shumë paqartësi.
Për këtë restorant vegjetarian, periudha e bllokimeve në Francë ka qenë e vështirë.
Por Maison Nomade më në fund po rihapet. Stafi i papunë nga pandemia po përpiqet të bëjë gjërat gati. “Jemi shumë të ngazëllyer, pak të stresuar por mezi presim të hapim përsëri restorantin dhe shpresojmë që kësaj here të jetë përgjithmonë, të mos mbyllemi përsëri sepse ka qenë e vështirë”, thotë Allison Lamotte, bashkëpronar i restorantit.
Është një ndjenjë e ngjashme për shumë biznese franceze, ndërsa fillojnë të lehtësohen kufizimet e koronavirusit. Të mërkurën e ardhshme, ambjentet në natyrë të restoranteve dhe bareve do të rihapen për herë të parë në disa muaj – megjithëse në gjysmën e kapacitetit – së bashku me muzetë dhe dyqanet.
Vendet e tjera evropiane po rihapen edhe më shpejt duke sjellë festime në Spanjë… dhe përgatitje në Greqi për të mirëpritur turistët e vaksinuar ndërkombëtarë duke filluar të shtunën.
Ky është një ndryshim i madh nga fillimi i këtij viti. Ndërsa vendet si Shtetet e Bashkuara dhe Britania shtuan fushatat e tyre të vaksinimit dhe panë rënie të rasteve të Covid-19, thonë ekspertët, shifrat në Bashkimin Evropian vazhduan të rriten. Vonesat në shpërndarjen e vaksinave i lanë qeveritë e BE-së në vështirësi për të imunizuar qytetarët dhe ndonjëherë të luftonin për furnizimet. Eurozona me 19 vende anëtare ra në recesion.
Me shtimin e vaksinave, Brukseli parashikon të përmbushë synimin e tij për të imunizuar 70 përqind të të rriturve evropianë këtë verë. Parashikimet e rritjes ekonomike për BE-në janë gjithashtu më të larta nga vlerësimet e mëparshme – 4.2 përqind këtë vit.
“Gjërat po duken më mirë. Ekonomia po hapet – kjo ka qenë pjesërisht si pasojë e ritmeve të shpejta të vaksinimit, por gjithashtu sepse disa shtete mesdhetare në veçanti kanë bërë shumë përpjekje për të rikthyer turizmin”, thotë Rosa Balfour, drejtore në institutin Carnegie në Evropë.
BE-ja shpreson që të lehtësojë udhëtimet brenda bllokut përmes certifikatave speciale Covid-19 për qytetarët që janë vaksinuar ose kanë test negativ ndaj virusit. Kufijtë ndërkombëtarë të Francës janë në plan të rihapen më 9 qershor. Por mëkëmbja e vendit si destinacioni kryesor turistik në botë mund të kërkojë kohë. Vetëm zona e Parisit humbi 33 milionë vizitorë vitin e kaluar – më shumë se dy të tretat e numrit të zakonshëm të turistëve.
“Turistët do të kthehen – nuk e di sa dhe për sa kohë – por në fund të fundit Kulla Eiffel tërheq gjithmonë turistë. Çështja është me udhëtarët e biznesit. Pse duhet të zgjedhin Parisin në vend të Londrës, Berlinit apo Milanos – kjo është çështja”, thotë Christophe Decloux me Bordin Rajonal të Turizmit në Paris.
Mesazhi i tij për turistët: Franca është një destinacion i sigurt. Njerëzit këtu shpresojnë që të vazhdojë të jetë i tillë. /Voa/