Associated Press dhe Al Jazeera reagojnë pas sulmit në zyra: Jemi të “shokuar” ! Është e qartë se…

0
107

Associated Press tha të shtunën se janë të “shokuar dhe tmerruar” nga sulmi izraelit në ndërtesën ku gjendeshin zyrat e AP-së si dhe të Al Jazeera në Gaza.

AP tha se ishte paralajmëruar për sulmin, gjë që i mundësoi të evakuojë gazetarët me kohë. Ndërsa Al Jazeera tha se nuk do të hesht pas sulmit.

“Është e qartë se ata që po bëjnë këtë luftë nuk dëshirojnë vetëm të përhapin shkatërrim dhe vdekje në Gaza, por edhe të heshtin media që dëshmojnë, dokumentojnë dhe raportojnë të vërtetën e asaj që po ndodh në Gaza,” tha Walid al -Omari, shefi i byrosë së Al Jazeera-s në Jerusalem.

“Por kjo është e pamundur”, tha ai.

Izraeli pretendoi se “aeroplanët luftarakë sulmuan një ndërtesë shumëkatëshe e cila strehonte asete ushtarake që i përkisnin inteligjencës ushtarake të organizatës terroriste Hamas”.

“Ndërtesa gjithashtu kishte zyra të mediave, të cilat grupi terrorist Hamas i përdorte si mburoja njerëzore”, tha ushtria.

Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në Gaza në mëngjesin e së shtunës (15 maj) ndërsa militantët e Hamasit u përgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael.

Trembëdhjetë njerëz u vranë si rezultat i sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës të shtunën, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, duke rritur numrin e të vdekurve në 139. Dhjetë nga viktimat – përfshirë tetë fëmijë – ishin anëtarë të një familjeje të gjerë. Shtëpia e tyre u godit nga një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh në perëndim të qytetit të Gazës, thonë zyrtarët palestinezë.

Një burrë vdiq gjatë një sulmi me raketa në periferi të Tel Aviv. Ai është personi i nëntë që u vra në Izrael që kur filluan luftimet. Zyrtarët izraelitë raportuan rreth 200 sulme me raketa nga Gaza brenda natës. Në disa qytete jugore të Izraelit u dëmtuan shtëpitë.

Forca ajrore e Izraelit tha se ka goditur një “numër të madh” të vendeve prej nga po lëshohen raketat në Gaza, si dhe apartamente që u përkisnin operativëve të Hamasit.

Çfarë e shkaktoi dhunën?

Dhuna e kësaj jave në Gaza dhe Izrael është më e keqja që nga viti 2014.

Ajo pasoi disa javë tensionesh izraelito-palestinez në Jerusalem, që kulmoi me përplasjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.

Hamas – grupi militant islamik që sundon Gazan – filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse.

Izraeli, SHBA-ja dhe një sërë vendesh e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.

Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.

Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime./Rel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here