Ti që u shite për 5 mijë lekë…

0
216

Nga Erion Dasho

Ti që në 25 prill shite votën për 5 mijë lek:

Mos kërko në fshatin apo qytetin tënd infermiere dhe mami! Ato do të marrin rrugën për në emigracion…

Mos kërko as edhe mjek familje! Mjekun po e kërkojnë me ngulm spitalet universitare për ta specializuar dhe nuk po e gjejnë dot…

Mos kërko në qytetin tënd mjek specialist! Ata kanë dalë në pension dhe disa syresh i vrau edhe COVID-i…

Edhe kur shkon në QSUT apo spitale terciare, mos kërko më Besim Elez, Pëllumb Karagjoz apo Panajot Bogë! Besimët, pëllumbët dhe panajotët e së nesërmes kanë ikur në Gjermani…

Kur shkon në farmaci mos prit ilaçe cilësore! Kënaqu me ato indiane sepse kështu vendosën matrapazët e rilindjes…

Kur shkon për të bërë vaksinën kundër COVID dhe të rrasin vaksinën kineze, mos u anko! Ato siguroi Borati për fushatë për të të hedhur hi syve…

Kur shtrohesh në spital dhe të thonë “këto analiza nuk bëhen”, mblidh rripin dhe shko në privat! Vetëm aq analiza të lejon koncesioni i rilindjes…

Kur mjeku të thotë “këto ilaçe duhet t’i blesh vetë” mos u anko! Rilindasi që të bleu votën tani po vjedh paratë që duheshin për të blerë ilaçet e tua…

Kur mjeku të thotë “ky operacion zemre bëhet vetëm në privat”, shit shtëpinë dhe nisu për atje! Sepse edhe një kardiokirurg që bënte ca punë të mira në shtet, policët e rilindjes e arrestuan…

Kur mjeku, infermieri, roja, polici i traut të kërkojnë rryshfet, hap portofolin ose merr overdraft! Mos u anko se ka edhe më keq! Kujto Tiren…

Shqiptar!

Në se babai, nëna, i afërmi apo miku yt ishte një nga 12 mijë viktimat e COVID-it dhe vdiq në shtëpi sepse ti nuk pate para për të siguruar oksigjen, ilaçe dhe infermier që të vinte t’i bënte injeksionet, mos thuaj “vdiq nga COVID-i”! Ai që të bleu votën, të mbushi edhe mendjen se në Shqipëri nuk ka patur tragjedi COVID-i!

Nëse nesër do të qëllojë sërish fati i keq për t’u përballur me shëndetësinë e “rilindur”, kujto se kur ke shitur votën për 5 mijë lekë, ke besuar përrallat për shëndetësinë falas, për shëndetësinë më të mirë në Ballkan dhe për spitalet njëlloj si në Belgjikë dhe Paris!

Mos harro se mjekun, infermierin, maminë, teknikun e rëntgenit, laborantin dhe fizioterapistin e dëbove ti nga Shqipëria që në momentin kur vendose të shesësh votën!

Koncesioneve dhe PPP-ve që kanë shterrur të gjithë burimet financiare dhe nuk e lënë shëndetësinë të ngrejë kokën, ua vure ti vulën e besueshmërisë kur pranove 5 mijë lekë në këmbim të votës!

Tani, pije detin Ksant!

Deri sa të bëhesh edhe ti njeri i lirë!

Atëherë, ose do të votosh si i tillë, ose do të kesh marrë rrugën nga sytë këmbët për t’i hapur vendin një bangladeshasi…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here