Pershendetje te gjitheve!
Doja te ndaja kete mesazh me te gjithe.
Të nderuar aktivistë dhe qytetarë të angazhuar,
Më datë 17 Maj kalendarikisht jemi 1 vit distancë nga shembja e Teatrit Kombëtar, një ngjarje që koha vërtetoi kokëfortë se ishte krim shtetëror, dhe nuk ishte një, dhe i izoluar, por pasuan tmerre të tjera, që nga goditjet ndaj pasurive publike, e deri te përçudnimi i zgjedhjeve. Të gjitha të rrënuara nga e njëjta dorë.
Nëse nuk jetojmë në një regjim të persekutimit të drejtpërdrejtë, me siguri jetojmë në një kontekst të vështirë të hapësirës së bjerrë civile dhe frikës së mpakjes së zërit, pikërisht tani kur zëri jonë duhet të jetë më shumë kumbues dhe i bashkuar.
Kemi tri qëllime të mëdha : të japim një mesazh frymëzues, këtë mesazh ta japim bashkuar, dhe të artikuluar publikisht.
Për të mos u shpërndarë në potpuri denoncimesh, me të cilat njërëzit i dinë shumë mirë dhe janë aq të lodhur e mpire duke i ridëgjuar përditë, duam që mesazhin tonë ta shënjestrojmë atje ku opinioni publik, zëri i njerëzve të angazhuar ka shans të dëgjohet, tek Drejtësia.
Jo si përgjërim, por si thirrje për Drejtësi, duke denoncuar sigurisht, por edhe duke kërkuar të drejtat tona si qeliza konstituuese të kësaj Republike.
Me datë 3 Qershor, është dita e shprehjes së Gjykatës Kushtetuese për Teatrin, për Ligjin Special dhe VKM-në nr377 të kalimit të pronësisë së truallit të Teatrit tek Bashkia Tiranë. Zëri ynë këtë ditë ka nevojë të dëgjohet sa më shumë për të krijuar presionin e mjaftueshëm që çështja të marrë përmasat reale politike që ka.
Është moment kyç, jo për shplarjen e Reformës në Drejtësi, po për të ardhmen e afërme të të gjithëve ne.
Ne si aktivistë të angazhuar, nuk duam ta humbim dialogun fare me institucionet, duam t`u flasim atyre, detyrën tonë ta bëjmë deri në fund, me të gjithë dyshimet legjitime, por sigurisht nuk mund të shprehemi butë dhe me neutralitet sikur jetojmë në kohë normale dhe sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Mesazhi ynë është: Teatri Krim Politik, i Pandëshkuar nga Drejtësia e Kapur. Të drejtat që na janë shkelur janë shumë. Na kanë shkelur të drejtat individuale dhe kolektike, madje ne mendojmë se na kanë cënuar dhe shpirtërisht, intimisht në sigurinë dhe dinjitetin e gjithësecilit.
Këtë frymë të denoncimit, protestës, por dhe e komunikimit publik me dialogues institucionet e drejtësisë duam ta transmetojmë mëngjesin e 17 Majit te sheshi i Teatrit, në orën 10.30.
Ftesa për ju është që vini me një mesazh për Drejtësi dhe për Drejtësinë, jo si komunikimi administrativ, por si manifestim politik duke i komunikuar autoriteteve publike pozicionin tonë në raport me ta, kontrastin e pazbehshëm mes nesh si Sovran dhe atyre që duhet thjesht të shërbejnë.
Mjaftojnë pak fjalë, kemi nevojë për prezencën e të gjithëve, pasi kauza është e të gjithëve dhe më politike se asnjëherë më parë.