Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ai është kundër ndryshimit të kufijve, por kjo ide, sipas tij, do të mund të gjente zbatim vetëm nëse do të mandatohej nga Kombet e Bashkuara ose një institucion tjetër.
“Ndryshimi i kufirit është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose ndonjë institucioni tjetër”, tha Vuçiq për televizionin TV Prva, duke shtuar se pozicioni i Serbisë bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Gjatë javëve të fundit, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar në Bruksel një “non paper”.
Por, në BE kanë thënë disa herë se “nuk e kanë parë një letër të tillë”.
Disa shtete të BE-së, e më së shumti Gjermania, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.