Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Qeveria e neo – socialistëve në Shqipëri ka planifikuar miliona dollarë amerikanë për të shkruar një histori të shqiptarëve, siç e quan ajo, në tri volume, prej antikitetit e deri në rënien e diktaturës komuniste në vitin 1990. Sipas deklarimeve kjo histori do të shkruhet në tri volume dhe do të adresohet për studiuesit e huaj. Edhe Ramiz Alia në vitet e qeverisjes së tij në vitet 1980 inicoi dhe realizoi një tekst të Historisë së Shqipërisë në katër volume, por pa e specifikuar si destinacion për të huajt. Duket se ideologjizimi nis që në momentin kur një punim shkencor realizohet me qëllime propagandistike. Ndryshe nuk kishte kuptim nocioni “Historia e Shqiptarëve” për të huaj. Ndërkaq është e ditur se studiuesve të huaj nuk ua imponon askush çfarë referimesh të kenë në kërkimet e tyre shkencore! Nuk kam dashur të paragjykoj asgjë për një iniciativë të tillë. Por debatet e zhvilluara këto kohët e fundit për realizimin e një projekti si ky i kanë shtuar dyshimet në sensin e dilemës, nëse do të kemi përfundimisht një histori reale e jo të njëanshme të popullit shqiptar. Historianët e ngarkuar për realizimin e këtij projekti edhe pse të njëanshëm nga përkatësia nuk do të kishte sens t’i paragjykonim thjesht për këtë shkak. Në fund të fundit secili ka të drejtën të mendojë e të besojë atë që dëshiron. Megjithatë diskutimet në studiot televizive na japin përshtypjen se këta historianë janë historianë të llogoreve. Shumica prej tyre qëndrojnë fort në llogoren e pozicionit doktrinar të diktaturës së komunizmit. Ndonjë prej tyre madje në konflikt interesi në raportin që ka me vetë familjen e diktatorit. Edhe pse i kualifikuar për historinë e mesjetës, një historian i tillë nuk ngurron të flasë p.sh për “nacionalizmin e diktatorit Hoxha”! Ndërsa një bashkëkoleg i tij e ndan historinë e diktatorit në dy pjesë e në dy ngjyra, bardh e zi,, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ndërkohë ngurron haptazi të ridimensionojë historinë e Mbretërisë Shqiptare! Në vend që të diskutohet metodologjia e hartimit të këtij projekti për historinë e shqiptarëve, diskutohet përmbajtja ende pa nisur të skedohen dhe sistemohen të dhënat që ekzistojnë. Dhe ende pa nisur puna, grupi i historianëve që do ta shkruajë “historinë” ka formuluar qëndrimin për epokat dhe personalitetet kombëtare shqiptare të historisë. Ajo që bie në sy në debatet televizive lidhet sidomos me përpjekjet për të justifikuar krimet e diktaturës komuniste dhe për të rënduar pozitën e Mbretit Zog me deklarata politike të kohës?! Shkurt, “historianët” e indoktrinuar do të bëjnë “historinë e paanshme”! Dhe se këta historianë janë të tillë na njoftuan ende pa nis puna përmes studiove televizive. Na thanë se kjo histori nuk do të ketë asnjë ndryshim përmbajtësor me tekstet e kaluara. Për mua një tekst i Historisë së Shqipërisë është i vonuar. Realizimi i një vepre të tillë është domozdoshmëri, ashtu si edhe pastrimi i teksteve shkollore dhe universitare nga indoktrinimi dhe ideologjia e së majtës ekstreme. Një histori e tillë nuk ka pse të cilësohet si “Histori për të huajt”, siç u paraqit projekti në studiot televizive! Asnjë vend i botës nuk ka dy histori, një për të huajt dhe një për vendasit! Vetë koncepti “Histori për të huajt”, është dëshmi e politizimit ose njëanshmërisë së këtij punimi. Nëse e pranojmë këtë tezë, atëherë duhet pranuar se grupi i punës do të bëjë një histori të modelit komunist, me të cilën t’i paraqesë shqiptarët para botës si njerëz , të cilët “Në gojë të ujkut hedhin valle”! Nga ana tjetër thuhet se kjo do të jetë “Historia e Shqiptarëve” dhe jo “Historia e Shqipërisë”! Por askush nuk e di se si do të trajtohet kjo histori! Çdo të thotë “Histori e Shqiptarëve” dhe çfarë është “Historia e Shqipërisë”?! Nëse deri në vitin 1913 historia e shqiptarëve ishte e njejtësuar, kjo nuk do të thotë se territoret shqiptare në Ballkan deri në këto kohë nuk i korrespondonin së paku si njësi gjeografike edhe Shqipërisë! Nëse pretendohet që të trajtohet si e tillë historia e Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë së saj e deri sot, në kushtet e vendosjes së sundimit serb në Kosovë dhe territoret shqiptare përtej kufijve, atëherë kjo histori është e ndarë në pikëpmje të zhvillimeve politike, demografike, deri diku edhe kulturore, përveçse zakonore e gjuhësore. Si do të bëhet kjo? A ka historianë të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë të inkuadruar në këtë projekt? Apo historianët e Tiranës do t’u imponohen atyre në Prishtinë e në Shkup?! Kush do të merret me Kosovën, me historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, atë të Luginës, shqiptarëve të Malit të Zi dhe me Çamërinë?! Pa pretenduar të bëja një punim shkencor në këtë rast për këtë temë, mua më shqetëson gjithashtu fakti se cila do të jetë metodika e hartimit të kësaj historie! Do të jetë një kronologji ngjarjesh? Do të jetë një histori vetëm politike e nacionale, apo edhe me studime në fushën e kulturës, demografisë, ekonomisë, mirëqenies, besimit fetar për çdo epokë? Historiani i ideologjizuar do të shkruajë edhe zhvillimet dhe shkallën e emancipimit shoqëror e kulturor, apo do të ketë studiues të fushës përkatëse?! Po për strukturën e shoqërisë do të shkruhet? Dhe jo vetëm kaq, por në studiot televizive kërkojnë përgjigje disa momente kyçe gjithashtu. P.sh si do të zhvishet historia jonë nga mitet politike e historike, të cilat pengojnë të thuhet e vërteta?! A do të flitet për kulturën në qytet e kulturën në fshat, për arsimimin dhe krijimin e elitave, për kriminalitetin dhe banditizmin, kur fenomene të tilla e kanë zotëruar sjelljen e shqiptarëve, për lëvvizjen e popullsisë dhe migracionin, si dhe shkaqet e tij, duke filluar nga mesjeta e këtej. A do të zenë vend modeli familjar, reformat e shumta nga antikiteti e deri sot, tradita e zejtarisë dhe proto-industrializimit, çeshtjet e mentalitetit dhe sistemit ekonomik, ato të urbanizimit, civilizimit dhe socializimit, si dhe ruralizimit?! Si do të trajtohet oksidentalizmi dhe antioksidentalizmi në psikologjinë, marërdhëniet shoqërore, kulturore dhe politike? Çfarë vendi do të zejë raporti midis mangësive akademike dhe zhvillimeve në këtë fushë, ose ai midis kulturës së përgjithshme dhe kulturës së lartë të elitave?! E deri te ajo se cila është shkalla e kulturës politike dhe e organizimit shoqëror në çdo fazë të zhvillimit historik të vendit! Cili është (ishte) modeli kushtetues dhe ligjor gjithashtu! Tri volumet do të shtrihen deri në vitin 1990, kur u shemb deiktatura komuniste. Ndërkaq mbeten të palëvruara tri dekadat e fundit. D.m.th do të ketë përsëri një histori të paplotë. Do të mungojnë në të ndryshimet kushtetuese, strukturore, ekonomike, politike të post diktaturës. Nuk do të njohin ende shqiptarët shkaqet dhe pasojat e anarkisë së vitit 1997. Nuk do të mësojnë për proceset integruese në strukturat euro-atlantike. Nuk do të plotësojnë dijet e tyre me zhvillimet në Kosovë ose në Maqedoni e e gjetkë ku jetojnë shqiptarët. Do mungojë historia e krijimit të shtetit paralel në Kosovë, historia e luftës dhe e bombardimeve të NATO-s për çlirimin e saj, historia e krijimit të shtetit etj. Pse? Sepse qeveria dhe Akademia e Shkencave janë në dilemë: – Nuk duan të ndajnë fajet dhe sukseset me të të tjerët! Askush nuk e di gjithashtu, nëse kjo histori do të ketë referenca krahasuese me fqinjët ose jo si në sistemin politik ashtu dhe në qëndrimet dhe formulimet politike, në zhvillimin ekonomik e të mirëqenies, në zhvilimin arsimor e kulturor, në urbanizim e deri te aleancat! Pra, do të ketë përsëi një histori skematike me ngjarje dhe personazhe politike e ushtarake të saj, apo do të kemi një histori gjithëpërfshirëse?! Për t’u dhënë përgjigje të gjitha këtyre dilemave, që duken proçeduriale e metodike, por në fakt formësojnë përmbajtjen e punimit, duhet një ekip, i cili të ishte i zhveshur nga paranojat, konceptet dhe ideologjitë e njëanshme dhe i pandikuar nga politika ditore! Pikërisht këto i mungojnë këtij projekti shumë të rëndësishëm për të hartuar një “Histori” të pretenduar për shqiptarët dhe jo për Shqipërinë!