Disa ditë pas përfshirjes në luftën e tyre të katërt, Izraeli dhe grupi militant Hamas po përballen me akuza për krime të mundshme lufte në Gaza. Kritikët thonë se Izraeli po përdor forcë të pabarabartë. Por, në anën tjetër shteti i Izraelit akuzon Hamasin se po përdorë civilët palestinezë si mburoja gjatë luftimeve.
Kush ka të drejtë? Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e vështirë të thuhet, në veçanti në mjegullnajën e krijuar nga luftimet.
Hamasi dhe grupet tjera palestineze po gjuajnë qindra raketa në mënyrë joprecize drejt Izraelit dhe ligji ndërkombëtar ndalon përdorimin e forcës apo shënjestrimin e civilëve në zonat civile. Gjuajtja e raketave në ndërtesat e banimit në Tel Aviv është një tregues i qartë i shkeljes së ligjit ndërkombëtar.
Një situatë edhe më e mjegullt është në Gaza, ku rreth 2 milionë njerëz jetojnë në një brez të ngushtë bregdetar.
Të dyja palët e përfshira në konflikt veprojnë në një terren urban të dendur sepse në fakt nuk ka hapësirë tjetër për luftime. Për shkak të territorit të ngushtë dhe bombardimeve intensive, nuk ka shumë vende ku banorët e Gazës do të mund të strehoheshin.
Në aspektin praktik, largimin e bën të pamundur një bllokadë e vendosur nga Izraeli dhe Egjipti menjëherë pasi Hamasi mori pushtetin më 2007.
Hamasi përbëhet nga krahu politik dhe ai i armatosur sekret. Kjo lëvizje është e rrënjësuar thellë në shoqërinë palestineze. Hamasi, de fakto, qeverisë me Gazën, por nga Izraeli dhe vendet perëndimore cilësohet si një organizatë terroriste. Pra, nëse dikush është i lidhur me Hamasin nuk do të thotë që patjetër është një luftëtar i armatosur, dhe ka shumë në Gaza që e kundërshtojnë grupin. Mirëpo, që të gjithë janë njëjtë të ekspozuar ndaj faktin se nuk kanë ku të largohen.
Në fillim të këtij viti, Gjykata Penale Ndërkombëtare filloi një hetim mbi krimet e mundshme të luftës të kryera nga Izraeli dhe militantët palestinezë gjatë luftës së vitit 2014. Por, duket se edhe në konfliktin e fundit dyja palët po përdorin taktika të njëjta, shkruan agjencia Associated Press.
Ja një vështrim mbi shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar.
Luftimet në zonat urbane
Militantët palestinezë operojnë kryesisht në zona të banuara, afër shkollave, xhamive dhe shtëpive, pasi aty kanë ndërtuar tunele dhe pozicione për lëshimin e raketave dhe infrastrukturës komanduese dhe të kontrollit.
Dhe në këtë situatë, një prokurori do t’i duhej të dëshmonte me fakte se luftëtarët kanë vendosur qëllimisht asetet ushtarake pranë civilëve për të përfituar nga kjo mbrojtje.
Marco Sassoli, profesor në Akademinë e Gjenevës për të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare dhe të Drejtat e Njeriut merr një shembull:
“Nëse Franca pushton Zvicrën, atëherë zviceranët nuk e kanë të ndaluar të mbrojnë Gjenevën, përfshirë këtu vendosjen e ushtarëve dhe pozicionet e artilerisë zvicerane e kështu me radhë, brenda Gjenevës”, thotë ai.
Në çdo konflikt, e drejta ndërkombëtare humanitare vlen për të gjitha palët, dhe në këtë rast francezët mund të luftojnë edhe në Gjenevë. Por, këtu çështja e balancës zbatohet në nivelin e një pasqyrë më e madhe. Si vazhdim i kësaj analogjie shtrohet pyetje: a ishte sulmi francez ndaj Gjenevës i barabartë me provokimin?
Konflikti izraelito-palestinez, gjithnjë e më i përgjakshëm
Shumë shpesh, kritikët e akuzojnë Izraelin për përdorim të forcës në mënyrë joproporcionale. Kritikët thonë se Izraeli është një fuqi bërthamore e padeklaruar, pastaj ka ushtrinë më të fuqishme në rajon ndërsa po bën luftë më një grup militant që posedon raketa me rreze të gjatë, shumica prej të cilave janë nën përgjim të mbrojtjes raketore të Izraelit. Njëjtë sikurse në luftërat e kaluara, edhe kësaj radhe numri i viktimave është në nivele dramatike, me të paktën 200 të vrarë në Gaza, gati gjysma e tyre gra dhe fëmijë, dhe dhjetë viktima në Izrael, përfshirë dy fëmijë.
Izraeli thotë se ka të drejtë të mbrohet dhe të eleminojë kërcënimin nga struktura komanduese e Hamasit dhe lëshimi i raketave. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se gjatë sulmeve ajrore po bëjnë gjitha përpjekjet për të shmangur viktimat civile. Për këtë kanë argumentuar se para disa sulmeve ajrore ata kanë paralajmëruar banorët për evakuim. Por, eksperti Sassoli thotë se në konfliktet e kaluara, Izraeli ka pasur një koncept bukur të gjerë për ligjshmërinë e asaj se çfarë është një objektiv ushtarak.
Në të drejtën ndërkombëtare, kur dy palë janë në konflikt, proporcionaliteti vlen edhe për sulmet individuale. Por, ekspertët thonë se është jashtëzakonisht e vështirë të vërtetohet nëse një sulm specific ka qenë i pabarabartë.
Në raste të tilla do të duhej të kishte njohuri se kush ka qenë cak i sulmit, çfarë përparësie ushtarake është fituar nga sulmi dhe nëse është tejkaluar dëmi i shkaktuar ndaj civilëve dhe pronës së tyre.
Pra, praktikisht, vetëm disa raste mbase më të rënda dhe ekstreme gjatë konfliktit do të mund të ndiqeshin penalisht.
Të shtunën (15 maj), Izraeli bombardoi një ndërtesë 12-katëshe në Gaza ku gjendeshin zyrat e Associated Press dhe rrjetit të lajmeve Al-Jazeera. Në këtë ndërtesë kishte edhe dhjetëra apartamente private dhe biznese të vogla, duke përfshirë një kompani ligjore, një laborator për testimin e gjakut dhe një kompani e prodhimeve televizive.
Askush nuk është lënduar nga sulmi, pasi ushtria izraelite paralajmëroi më herët banorët dhe personelin se do të bombardojë.
Ushtria izraelite tha se sulmi është bërë pasi në atë ndërtesë kishte prani të aseteve të Hamasit, duke përfshirë një qendër komanduese dhe kontrolli, një njësi inteligjence dhe infrastrukturë tjetër të përdorur për të koordinuar operacionet luftarake. Megjithatë, nuk është ofruar asnjë fakt për këtë.
Shefi ekzekutiv i AP-së, Gary Pruitt, tha pas sulmit se është i “tronditur dhe tmerruar”. AP gjithashtu bëri thirrje për një hetim të pavarur për këtë sulm.
“Ne nuk kemi asnjë provë të pranisë së Hamasit në ndërtesë, as nuk jemi paralajmëruar për ndonjë prani të tillë të mundshme para sulmit ajror. Ne i kontrollojmë këto gjëra sa më mirë që mundemi”, tha Pruitt.
Sassoli thotë se sulmi ndaj një mediumi do të ishte “plotësisht e paligjshme”, por është e pamundur të dihet nëse bombardimi ishte i drejtë, pa pasur njohuri se çfarë ishte në shënjestër të ushtrisë.
Sulmet nga të cilat pësojnë civilët, ngrisin pyetje të fuqishme.
Të dielën (16 maj), të paktën 42 njerëz u vranë, përfshirë 16 gra dhe dhjetë fëmijë, pasi Izraeli sulmoi nga ajri një rrugë kryesore në Gaza duke shkatërruar tri ndërtesa. Izraeli tha se sulmet kanë shënjestruar “infrastrukturën ushtarake nëntokësore” të Hamasit.
Një ditë më parë (15 maj), dhjetë gra dhe fëmijë u vranë gjatë një sulmi në një kamp të mbushur me refugjatë. Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar zyrtarë të lartë të Hamasit që po takoheshin në ndërtesë.
Ushtria nëntokësore
Rëndom, sapo fillojnë luftimet anëtarët e krahut të armatosur të Hamasit dhe udhëheqja politike strehohen në nëntokë dhe ata rrallë apo pothuajse asnjëherë nuk veshin uniforma. Gjithashtu ata nuk identifikohen në publik.
Shumica dërrmuese e mbështetësve të Hamasit nuk janë të përfshirë në luftime. Kjo supozon faktin se ata nuk do të jenë në shënjestër të sulmeve.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në përcaktimin e tij për një luftëtar thotë se: ai është një person me një “funksion të vazhdueshëm në luftë” ose përcaktimi vlen edhe për ata që janë të angazhuar në luftime në kohën kur janë në shënjestër. Ky përkufizim ka gjetur një mbështetje të gjerë.
Pra, ekspertët thonë se edhe në rast se në një ndërtesë do të kishte shumë mbështetës të Hamasit, ajo nuk do të duhej të konsiderohej si një objektiv i ligjshëm për sulm, nëse ata nuk përfshihen aktivisht në operacione luftarake./REL