Dosja me 251 faqe për Kinostudion “Shqipëria e re”/ Dokumenti i panjohur, si survejoi dhe raportoi Sigurimi i Shtetit nga ’70- ‘91

0
1204

 

Autoriteti i Dosjeve ka publikuar dokumentin që tregon se si ish Kinostudio “Shqipëria e Re” u konsiderua objekt i rëndësisë së veçantë, duke u vënë nën survejimin e rreptë agjenturor të Sigurimit të Shtetit, nga viti 1970 deri më 1991. Me këtë dokument flitet për hapjen e dosjes së këtij objekti, që tashmë konsiderohet i deklasifikuar sipas Autoritetit, e cila përmban 251 faqe dhe raporte survejimi. Rreth 30 regjisorë, aktorë dhe punonjës të Kinostudios, ku u evidentuan 17 “kontigjente armike”, survejoheshin nga 7 informatorë të Sigurimit të Shtetit, rezidentë në Kinostudio.

 

 Autoriteti i Dosjeve ka publikuar dokumentin që tregon se si ish Kinostudio “Shqipëria e Re” u konsiderua objekt i rëndësisë së veçantë, duke u vënë nën survejimin e rreptë agjenturor të Sigurimit të Shtetit, nga viti 1970 deri më 1991. Me këtë dokument flitet për hapjen e dosjes së këtij objekti, që tashmë konsiderohet i deklasifikuar sipas Autoritetit, e cila përmban 251 faqe dhe raporte survejimi.

Informacioni që dha dje Autoriteti është: Dosje e objektit të Kinostudios “Shqipëria e re “, nr.133, është deklasifikuar më 01.04.2021. Dosja ka 251 faqe dhe përmban raporte të Drejtorisë I, dega VII e ish-Sigurimit të Shtetit.  E hapur në 1.2.1970, dosja nr. 133 u mbyll më 9.03.1991 nga punëtori operativ.

Rreth 30 regjisorë, aktorë dhe punonjës të Kinostudios, ku u evidentuan 17 “kontigjente armike”, survejoheshin nga 7 informatorë të Sigurimit të Shtetit, rezidentë në Kinostudio.

***

 

Vendim

 

Për çeljen e dosjes se objektit për kinostudio “Shqipëria e re”

Unë puntori operativ Polikron Koço, efektivi Drejtoria e P. Brendshme Tiranë, (ana e sigurimit të shtetit) mbasi studjova objektin e Kinstudios

 

Gjeta

 

Se objekti i lartë përmendur është një institucion me rëndësi të madhe kulturoralo –politike, si dhe i vetmi i këtij lloji në shkallë republike.

Në këtë objekt punojnë një numër i konsiderueshëm punonjësisht ‘tartit tonë kinematografik(332  persona)

Duke u nisur nga rëndësia e veçantë politike e tij, orientimi i MInistrit të P. Brendshme (dhënë nëpërmjet Deges X-të) si dhe për t’i zbulkaru  dhe parandaluar në kohë çdo veprimtari të mundshme armiqësore apo keq bërese në këtë institucion

 

Vendosa

Që objektin e Kino-studjos “Shqipëria e Re” ta konsideroj objekt të rëndësie të veçantë, duke i hapur dosje objekti dhe njëkohësisht të regjistrojë ata në kartotekë.

 

Puntori operativ

Polikron Koço

 

Shefi i seksionit V-të

Bajram Doçi

 

***

Një tjetër dokument konsiderohet sekret, si ekzemplar i vetëm, mban datë 30.07, 1973

E aprovuar nga drejtoria e punëve të brendshme, ku flitet për një plan prespektiv dhe masat agjenturore në drejtim të Kinostudios, tashmë të konsideruar si objekt i rëndësisë së veçantë. Dokumenti përmban:

 

Plan – Prespektiv

I masave Agjenturalo Operative në Drejtim të Objektit të Rëndësisë së Veçantë Kino –Studio “Shqipëria e Re”

 

Kinostudio “Shqipëria e re” është vlerësuar si objekt i rëndësisë së veçantë. Ky institucion është i vetmi në vendin tonë ku prodhohen, montohen, përpunohen filma të prodhuar në vend se të blerë nga jashtë dhe shpërndahen në të katër anët e vendit për edukimin e masave punonjëse. Në këtë institucion punojnë rreth 332 punonjës, po ashtu në këtë institucion për vetë specifikën që ka bashkëpunojnë me të shkrimtarë, artistë e punonjës të thjeshtë. Në këtë objekt ka material që kanë një vlerë të konsiderueshme dhe që është vështirë që të zëvendësohen. Aty ruhen mjaft filma me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky objekt pra është qendra e të gjithë aktivitetit të kinemave tona, nga ku qarkullojnë filma të ndryshëm.

Me qëllim që të marrim masa për të zbuluar e parandaluar ndikimin e mundshëm të ideologjisë borgjezo- revizioniste, dhe përpjekjet e elementit armik e keqbërës, për të penguar e sabotuar vijën politike të partisë në këtë sector të artit e sidomos në drejtim të revolucionarizmit të këtij arti si dhe për të ruajtur këtë objekt të rëndësishën nga aktet e sabotimit apo diversionit të mundshëm do të merren këto masa agjenturalo operative dhe legale:

 

  • Masa Legale

Në bashkëpunim me drejtuesit e këtij institucioni të organizohet e perfeksionohet regjimi i hyrjeve në këtë objekt të punonjësve të këtij institucioni dhe të personave të tjerë, me qëllim që të evitojnë hyrjen në këtë objekt të rëndësishëm të ndonjë elementi armik e keqbërës për të na dëmtuar.

 

***

 

Ashtu si në pjesën tjetër të Ballkanit, edhe në Shqipërinë e pas-Luftës së Dytë Botërore, partizanët komunistë luftuan pushtuesit e huaj dhe pas fitimit të luftës, vendosën një regjim komunist. Megjithatë, historia e Shqipërisë është unike ndër vendet e Europës Lindore. Pas përçarjes me Jugosllavinë dhe më pas me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha deklaroi se ideologjia Marksist-Leniniste mund të ishte e vetmja rrugë e vërtetë drejt komunizmit.

Pas një regjimi të rreptë Stalinist prej 50 vitesh, Shqipëria akuzoi pjesën më të madhe të vendeve socialiste të Europës Lindore si revizioniste dhe ndoqi një politikë të vetën të realizmit socialist. Komunistët ishin të bindur se izolimi i vendit ishte e vetmja menyrë për të ruajtur një regjim të pastër socialist.

Si rrjedhojë, influenca e huaj në kinemanë shqiptare manifestohej vetëm gjatë krisjeve të pakta në murin e hekurt që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës. Shfaqjet televizive nga vendet fqinje, sidomos Italia, ose vizitat e rralla të kineastëve të huaj, ishin momentet e vetme të kontaktit me kulturën e jashtme. Gjatë komunizmit prodhimtaria e filmave varej pothuajse plotësisht nga realizmi socialist. Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të hedhin poshtë historinë e tyre kinematografike, duke e cilësuar si një indoktrinim të gjatë ideologjik.

Ndërkohë edhe godina ka historinë e saj, të konsideruar po aq engimatike sa i takon strukturës së godinës së ish- Kinostudios “Shqipëria e re”, për të cilën studiuesi Gëzim Qendra, na ka lënë një libër studimor me disa teza interesante; zbulimi, analiza dhe interpretimi, pse u shpërfill nga regjimi arkitektura që në përfundimin e studiuesit ishte një program ikonografik kryekëput subversiv: me planimetri kishash me anijatë dhe transet, kube me perëndi pagane në kulm. Qendro në librin e tij sjell një zbulim se, planimetria e ndërtesës tashmë historike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re” ka formën e kryqit. Është një pamje e Kinostudios që ofrohet nga sateliti ku shquhet planimetria e pazakontë e saj. Kjo, në fakt, qarkullonte prej vitesh si një kuriozitet, përfshirë me mister mbi epokën staliniste me gjurmët e saj uzurpuese, kur Qendro tregon se kjo pamje i ra në sy krejt papritur vite më parë kur po bënte një detyrë kursi me studentët e fotografisë. Edhe pse dihej, si atëhere, dhe në këta vite askush nuk e ka artikuluar me zë të lartë, dhe përfshirja në një studim të tillë e bën edhe më domethënëse epokën e stalinizimit mbi Shqipërinë. Nga ky zbulim, Qendro shkruan: “…Mbeta i shtangur pa u besuar syve. Çudi, si nuk e kisha vënë re më parë, në atë ndërtesë kisha punuar gati dhjetë vjet! Dhe nga ajo kohë kishin kaluar edhe plot gjashtëmbëdhjetë vite të tjera! Me sa duket, edhe unë, ashtu si hutini i Minervës, duhej të prisja “të binte muzgu i Historisë”, për të “parë” atë që dikur e kisha pasur para syve. Por, ndryshe nga hutini që zbulon duke vëzhguar me sytë e tij të mprehtë, zbulimi, si të thuash, “m’u shfaq vetë”.

“Për vite me radhë, bashkë me punonjësit e tjerë të Kinostudios isha endur nëpër hapësirat brenda dhe jashtë ndërtesës, kisha hyrë e dalë nëpër dhoma e salla, hipur e zbritur shkallëve pa e parë me vëmendjen e duhur si objekt fenomenologjik, por vetëm si një hapësirë e brendshme ku shpalosej përditësia jonë dhe zhvillohej një veprimtari e ethshme prodhimi filmash”.

Dhe ja, ndalet Qendro, ku u shfaq pyetja e pashmangshme: si mundej që dy regjime totalitare, ai sovjetik dhe ai shqiptar, armiq të betuar të institucioneve fetare, të kishin ideuar ngritjen e një “vepre të rëndësishme pesëvjeçari”, me planimetri në formë kryqi, që prej shekujsh njihet si planimetria standard e ndërtesave të kultitt të krishterë.

Studiuesi me një punë, në gati prej 250 faqe, merret me analizën e interpretimin, historinë dhe domethëniet e simbiologjisë që “fshihen” pas strukturës së ndërtesës së Kinostudios.

Studiuesi e ka konsideruar këtë një program ikonografik, një situatë arkitekturore mbi të cilën hedh shumë pyetje për analizë: si mund të përligjej ideologjikisht prania enigmatike, në dukje e pamundur dhe kundërthënëse e këtyre elementëve të huazuar prej sintaksës tradicionale të arkitekturës së krishterë dhe pagane, në projektin e një ndërtesë të njohur si paradigmë e neoklasicizmit sovjetik në Shqipëri? Kush e kishte ideuar planimetrinë e çuditshme dhe programin ikonografik me përmbajtje fetare? Ishtë bërë me miratimin e censurës së dy regjimeve totalitare, apo bëhej fjalë për një akt subversive që i kishte shpëtuar regjimit? Përse nuk ishin përdorur simbolet e njohura të ikonografisë socialiste? Qendro sqaron: “Shqyrtimi në arkivin e Kinostudios i projektit origjinal të studios sovjetike dhe planimetrisë disa metra të gjatë e të palosur shumë herë, sqaruan përfundimisht se ndërtesa ishte projektuar qysh në fillim në formë kryqi. Për çudi, nuk arrita të gjej asnjë përkthim shqip të tekstit shoqërues në rusisht, çka mund të shpjegohet me dy arsye; ose zbatimi i projektit nga specialisti rus Allpatov është kryer pa u këshilluar me specialistë shqiptarë, ose teksti shoqërues në shqip ka humbur. Në tekstin shoqërues rusisht flitet me hollësi për studimin sizmik të zonës, cilësinë dhe përbërjen e truallit, tullave, llaçit, betonit apo metarialeve të tjera që janë përdorur, por nuk përmendet gjëkundi forma e planimetrisë dhe programi ikonografik i pazakontë. Në të thuhet vetëm se: Konceptimi i ndërtesës u bë mbi një konceptim simetrik me portik qendror të vendosur sipas aksit të simetrisë, dhe u realizua me forma klasike, duke i dhënë ndërtesës karakter të qetë dhe monumental”. Kjo planimetri formëkryq i një institucioni të rëndësishëm të kulturës vinte pikërisht pas revolucionit antifetar të regimit në vitin 1967. Nëse për studiuesin, raste të ngjashme, ose të çfarëdo situate për analizën e strukturës  konceptuale fshehje/ mosfshehje përdoret në rastet për të kuptuar çdo epokë historike nga kohët e lashta e deri ditët tona, në rastin e Kinostudios habia lidhet se projektuesit sovjetikë nuk janë përpjekur fare të fshehin përdorimin e njësive arkitekturore dhe simboleve (të paktën zyrtarisht) të papajtueshme me marksizëm-leninizmin!! “Në ndërtesën e Kinostudios gjejmë vetëm konceptin e dytë “mosfshehjen” çka e ndërlikon situatën më tepër, pasi prania e simboleve fetare jo vetëm nuk është e mirëpritur nga estetika socialiste, por është edhe e dënueshme. Reagimi i natyrshëm do të ishte që të përpiqeshin të paktën ta fshihnin disi. Por, çuditërisht gjithçka tregohet hapur, në dritën e diellit”. Në ironi të kësaj situate, Qendro kujton se në atë kohë, midis punonjësve të Kinostudios flitej nën zë për kryqin në shpinën e shtatores me kostum popullor mirditor të vendosur në njërën nga shtyllat e rrethimit të oborrit, vepër e Odhise Paskalit. Madje ky fakt ishte ndër gjërat e para që u tregonin të sapopunësuarve. Ishte i vetmi kryq, edhe pse i gërryer nga motet, nuk i kish shpëtuar vëmendjes dhe flitej nën zë për të. Ndërsa kryqin e madh të planimetrisë së ndërtesës “që e kishim të gjithë para syve nuk e shihnim”. Qendro sjell dëshminë e ish kryeinxhinierit të Kinostudios në vitet 1972-1994, Zhani Canco, që ishte në dijeni të planimetrisë së pazakontë, por nuk kishte guxuar të fliste me askënd. Përmendet dhe se një grup militantësh komunistë patën treguar “vigjilencë revolucionare” kur u ankuan për formën e kryqit që krijonte silueta e kazmës dhe pushkës në siglën e revistës televizive të mbrëmjes, duke u vënë në dijeni edhe Komiteti Qëndror i PPSH-së. Pse shpërfillej kjo pamje, Qendro jep një mendësi: “Mendoj se arsyeja e shpërfilljes së simbolikës së ndërtesës lidhet me faktin që një ndërtesë si korpusi qendror i Kinostudios duket se përjashton plotësisht mundësinë e përmbajtjes së ndonjë kodi semiologjik qëllimisht armiqësor, pasi nuk u ndërtua për të komunikuar ndonjë domethënie, por të krijonte një hapësirë të brendshme me një funksion të caktuar: prodhimin e filmave. Të mësuar në vite të shihnim vetëm funksionin e hapësirës së brendshme askush nuk e vrau mendjen nëse krahas funksionit denotues të guaskës arkitekturore, bashkëjetonte i padukshëm ndonjë semiologjik subversive”

Përurimi i këtij institucioni u shënua si një rast i jashtëzakonshëm, më 10 korrik 1952, duke iu referuar “retorikës tipike për kohën” në fjalimin e kryeinxhinierit sovjetik Boris Allpatov: “Filmat e Kinostudios “Shqipëria e re” do t’i japin mundësi popullit shqiptar të forcojë bindjen për forcat e tija madhështore”.  Një foto historike në libër, një kronikë e shkëputur nga kujtimet e Xhanfise Kekos në librin “Ditët e jetës sime”, 2007,  kur është përuruar godina e Kinostudios, bashkë me dëshminë e asaj dite. Teksti shënon: Në foto shihet Enver Hoxha, i veshur me kostum të bardhë, teksa pret shiritin me gërshërët që i ka dhënë Xhanfise Keko, montazhierja e sapokthyer nga Moska, e cila më pas do të bëhej regjisore e njohur filmash për fëmijë. Ja si e përshkruan ajo atmosferën e atij mëngjesi një diel të 10 korrik të vitit 1952, kur personalitetet më të larta të regjimit erdhën për të uruar kinematografinë lehonë shqiptare në ditën e “lindjes” së Kinostudios “Shqipëria e Re”: Kur mbërritëm ne, godina ishte zbukuruar me flamuj e lule dhe dukej edhe më e bukur se sa ishte në të vërtetë. Po kështu, edhe të ftuarit, thuajse kishin mbërritur, me përjashtim të autoriteteve kryesore që priteshin nga çasti në çast. Enver Hoxha i veshur me një kostum të bardhë që, në dritën e diellit dukej edhe më i bardhë, mbërriti i shoqëruar nga Presidenti i Kuvendit Popullor dr. Omer Nishani, anëtarët e Byrosë Politike Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku e Spiro Koleka[…]/ L.M/standard

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here