“Zyrtarisht ishte një ngarkesë me pula të ngrira që u nis nga Brazili dhe u drejtua për në Lipjan, një qytet me 50 mijë banorë në qendër të Kosovës Shqiptare. Në të vërtetë, brenda atyre kutive kishte një ngarkesë prej 400 kilogramë kokaine, të ndarë në blloqe njëkilogramëshe dhe gati për t’u shpërndarë”.
Kështu e nis shkrimin e përditshmja italiane “La Repubblica”, që ndër të tjera shpjegon edhe detaje nga operacioni i koordinuar që çoi në pranga 25 persona deri tani. Efektivët që ruajnë portin e “Gioia Tauro” dhe zyrtarët e Agjencisë Doganore e kanë kuptuar që në ngarkesën me pula kishte kokainë, por me koordinimin e prokurorit antimafia të Reggio Calabria ata kanë vendosur të ndryshojnë “metodën”.
Asnjë konfiskim flagrant, por monitorim i kujdesshëm për të ndjekur ngarkesën në destinacionin e saj dhe për të ndërhyrë në momentin e duhur. Një letër urgjente i është nisur Kosovës dhe Shqipërisë nga prokurori kalabrez antimafia nënshkruar nga kryeprokurori Giovanni Bombardieri, ndihmësi Gaetano Paci dhe zëvendësi Francesco Ponzetta. Në këtë mënyrë oficerët e Policisë italiane u lejuan të veprojnë në zonën e dorëzimit. Ndërkohë, hetuesit nuk e kanë ndaluar në asnjë moment monitorimin e kontejnerit, madje edhe me mbështetjen e agjencive të zbatimit të ligjit shqiptar dhe kosovar. Kur u bë dorëzimi dhe nisën të hapeshin pakot, të gjithë ishin gati dhe ndërhynë.
NDERHYRJA
“Guardia di Finanza, Policia shqiptare dhe kosovare ndërhynë, ndërsa ngarkesa po shpaketohej në magazinat e kompanisë dhe kokaina, e fshehur mes mishit, u nxor nga kutitë”, shkruan “La Repubblica”. Punëtorë të kompanisë, shoferë, etj. kapen në flagrancë nga Policia e janë në hetim, ndërsa 7 të tjerë u arrestuan në përfundim të veprimeve hetimore. Në tërësi, janë sekuestruar 400 kuti që supozohej të ishin pula të ngrira, por brenda tyre ishin futur pakot me drogë.
Kokaina e pastër, e cila hidhet në tregun europian, sipas oficerëve të Policisë italiane do të sillte mbi 100 milionë euro fitim për organizatat Kriminale të përfshira në këtë aktivitet. Sipas së përditshmes italiane, nuk dihet se kush e financoi ngarkesën dhe veproi si ndërmjetës. Por që “Ndrangheta” ka kthyer në monopol trafikut ndërkombëtar të kokainës për dekada, ashtu siç është marrëdhënia historike dhe e strukturuar midis klaneve kalabreze dhe mafive shqiptare, ky është një fakt tashmë. Në Portin e Durrësit kontejneri mbërriti më datën 6 maj. Qëndroi 9 ditë dhe më datë 15 maj u lejua dalja e tij. Në Kosovë kaloi po në të njëjtën datë, më 15 maj, përmes Pikës së Kalimit të Vërmicës. U mbajt nën vëzhgim nga agjentët italianë dhe ata shqiptarë.
Gjatë gjithë itinerarit, mjeti është ndjekur nga agjentët civilë. Kamioni u parkua në magazinën e kompanisë “MC food” në hyrje të qytetit të Lipjanit, e cila tregton dhe magazinon produkte ushqimore. Në këto moment kanë ndërhyrë dhjetëra forca civile të Policisë së tri shteteve, ku dhe është sekuestruar sasia e kokainës.