Endrit Braimllari: Vendimet e KAS të njëanshme dhe politike…

0
204

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) Endrit Braimllari thotë se vendimet e Komisionit të Ankimimit dhe Sanksioneve për të rrëzuar pretendimet për qarkun Gjirokastër ishin të njëanshme dhe politike. Sipas tij 25 prilli ishte “masakër elektorale”, se LSI “i ka provuar manipulimet”, mirëpo “vendimet në favor të Partisë Socialiste, po synojnë ta mbyllin sa më shpejt procesin me rezultat të deformuar”.

“Nga hapja e kutive [në qarkun e Beratit] është parë që ka më shumë fletë votimi se numri i zgjedhësve, kjo tregon se është ndërhyrë në kuti,” – tha Braimllari, duke theksuar se shumica socialiste jo vetëm përdori burimet shtetërore, por “manipuloi edhe kutitë”.

Braimllari këmbënguli se të dhënat e pajisjeve të identifikimit elektronik kanë treguar që “ka pasur votime të shumëfishta” dhe se “teknologjia nuk u përdor për ta parandaluar këtë”.

“Si mundet që një qytetar të votojë për 33 të tjerë?!” – bëri pyetje retorike Braimllari. Më tej ai shtoi se për këtë pretendim LSI ka vëzhguar pamjet filmike.

Përballë ndërhyrjes së gazetares Esmeralda Mulaj se ka pasur pretendime se gjurma e gishtit është vendosur nga operatorët për rastet e të moshuarve që nuk u është identifikuar gjurma, Braimllari tha se edhe për këtë pretendim KAS duhet të kishte thelluar hetimin.

“Ky nxitim [i KAS-it] krijon idenë se bëhet për të mbyllur diçka, pse kërkohet me nxitim të thuhet se ishte gjithçka ‘e ndershme’ kur nuk është certifikuar nga KQZ, nuk ka vendime gjykate […] kur kemi raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it që e dënon rëndë këtë proces dhe misionin e SHBA në ODIHR që e konteston,” – tha Braimllari.

Sekretari i LSI-së tha se ishte skeptik për hetimet edhe nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion do të mund të zbardhë dhe ndëshkojë shitblerjet e votave, apo abuzimet e pushtetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here