Lulëzimi në Shqipëri i platformave të palicencuara Forex, që mashtrojnë të moshuarit në Europë dhe Maqedoni, është kthyer në oaz punësimi për të rinj që po shfaqin shenja ankthi dhe depresioni.
“Monitor” zbardhi kontratën e një kompanie të regjistruar në parajsën fiskale të Vanuatu-s me seli në Britaninë e Madhe, që kërkon të nënkontraktojë call center-ët në Shqipëri, ku pranohet haptazi mashtrimi që u bëhet klientëve. Dyshimet për pastrime parash. Aktiviteti i forex tërësisht jashtë kontrolli, nuk po e mbikëqyr asnjë institucion
I ekzekutuari në Vlorë, kushëri me personin e zhdukur në vitin 2018
Ankthi, ndjesia e fajit dhe shenjat e depresionit janë shqetësimet e shfaqura te të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 22 – 27 vjeç të punësuar në platformat e palicencuara Forex. “Këta të rinj shprehin të tilla shqetësime, pasi siç më pohojnë shumë prej tyre, janë të vetëdijshëm se ‘duhet’ të mashtrojnë. Nga ana tjetër, pamundësitë ekonomike i mbajnë në këtë punë stresuese, sepse fitimet janë shumë të mëdha. Pjesa më e madhe janë të punësuar prej 2 apo 3 vitesh në punë të tilla dhe dëmi më i madh që po i shkaktohet shoqërisë shqiptare është mentaliteti i krijuar. Te ky target-grup po krijohet mendësia e të fituarit me vjedhje dhe mashtrim”, pohoi për “Monitor”, psikologia dr. Aljona Jonuzaj.
Kompanitë Forex, janë opsioni i rremë financiar i platformave online të shitblerjes të aksioneve në bursat e huaja. Bazë kryesore e selive të këtyre kompanive është Qipro.
Në Shqipëri këto platforma janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit dhe kryesisht funksionojnë brenda kompanive call center, që përdoren si nënkontraktorë të ofrimit të shërbimit. Punonjësit e platformave Forex marrin në telefon klientët potencialë dhe i orientojnë për këto forma investimi.
Duke iu dhënë informacione të rreme mbi ecurinë e tregjeve në bursat ndërkombëtare, ata i mashtrojnë shtetasit e huaj të interesuar për të luajtur në bursë. Aktorët e tregut pohojnë se janë të shumtë operatorët Forex që funksionojnë në Shqipëri. Nga viti në vit numri i tyre është rritur, por totali i saktë është e pamundur të identifikohet, pasi këto skema janë të palicencuara. Funksionimi i tyre brenda ambienteve të operatorëve call center ka rritur vështirësitë e organeve ligj zbatuese për t’i identifikuar.
Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se dosjet dhe rastet konkrete të hetimeve për këto platforma jepen nga prokuroritë e rretheve. Monitor iu drejtua dy prokurorive në vend, por asnjëra prej tyre nuk dha sqarime nëse kanë nisur hetimet për këto skema mashtrimi. Prokuroria e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesës për informacion, ndërsa Prokuroria e rrethit Shkodër kërkoi të dhëna më specifike për subjektet apo personat që zbatojnë këto skema mashtrimi, me qëllim që të procedonte verifikimet.
“Në regjistrat elektronikë të kallëzimeve/procedimeve në Prokurorinë pranë gjykatës të Shkallës të parë nuk mbajnë të dhëna kaq të përgjithshme për subjekte e veprave penale (si p.sh hetimet për platformat Forex), por duhet të dërgoni të dhëna për persona juridik/fizik në mënyrë që të bëjmë verifikimet përkatëse”, sqaroi Prokuroria e rrethit Shkodër.
Mungesa e kontrollit dhe fitimet e larta kanë bërë që numri i kompanive që ofrojnë këtë shërbim të shtohet ndjeshëm vitet e fundit, sipas konstatimeve të Monitor nga burimet në treg. Këto platforma janë bërë dhe subjekt Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPPP), për dyshime për pastrim parash (shiko më poshtë nëntitullin: Rritet pastrimi i parave në call center).