Mbi vendin tonë sipas MeteoAlb moti do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të lehta që do të dominojnë gjatë orëve të para të ditës, ku më të shpeshta do jenë në zonat malore.
Por orët e mesditës do të sjellin largim gradual të vranësirave drejt skajit verior duke lënë më kthjellime zonat Jugore dhe Qendrore. Edhe orët e natës mbeten në ndikimin e kthjellimeve në vendin tonë.
Temperaturat e ajrit rriten në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ekstremale nga 7°C mëngjesi në juglindje deri në 27°C mesdita në zonat e ulëta. Era do fryjë mesatare dhe herë pas herë forcohet në det me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi Jugor duke gjeneruar në det dallgëzim mbi 4 ballë.
Kosova
Pjesa e parë e ditës do të paraqitet me kthjellime të shpeshta por vranësirat do të jenë kalimtare, situatë e cila mbetet deri në mesditë kur vranësirat largohen nga territori i Kosovës duke bërë që kthjellimet të jenë mbizotëruese. Kushtet e motit të kthjellët mbeten edhe gjatë mbrëmjes dhe natës.
Maqedonia e Veriut
Pjesa e parë e ditës së shtunë do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira kalimtare situatë e cila vjen duke u përmirësuar gjatë pjesës së dytë të ditës. Duke bërë që kthjellimet të jenë mbizotëruese.
Rajoni dhe Europa
Pjesa më e madhe e Kontinentit Europian do të përfshihet nga mot i kthjellët. Konkretisht në mbizotërimin e motit me diell do të jenë: gjithë Rajoni i Mesdheut dhe Rajoni Lindor i Europës. Ndërsa Europa Qëndrore dhe ajo Veriore do të paraqiten me vranësira shoqëruar herë pas here me shtrëngata shiu.