Ngjarja e rëndë në Mirditë, ku një 15-vjeçare u abuzua seksualisht nga disa persona, duket se po merr përmasa edhe më të rënda.
Xhaxhai i vajzës ka thënë sot në një dëshmi për emisionin ‘Me zemër të hapur’ se ka dyshime që rrethi i personave që kanë abuzuar me të miturën të ketë qenë edhe më i madh.
Sipas tij, dyshohet se abuzuesit janë 8 dhe jo 5 nga sa u pretendua më herët. Mes të tjerash ai i bëri thirrje shtetit që të zbardhë ngjarjen si dhe të çojë autorët para drejtësisë.
Ai i bëri thirrje edhe ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim.
“Ka edhe persona të tjerë të implikuar. Sot pasi pamë dhe një protestë madhështore, në përkrahje të kësaj minorene, në luftë kundër këtyre pedofilëve. Lista e pedofilëve është me e gjerë.
Numri nga 5, në bazë të të dhënave, shkon në 8. Ato tabulatet që janë sekuestruara nga prokuroria, i kam thënë oficerit, që tabulatat nuk preken dhe se do t’i hapë prokurorja.
I bëj thirrje prokurores që t’i shoh këto tabulate dhe njerëzit që janë futur në këtë grup, të merren të pandehur.
I them shtetit; “shtetin tim e dua shumë, se i kemi falur 5 njerëzit. Se sot do ishin në varr”. Unë i kërkoj në mënyrë të veçantë ambasadores Yuri Kim që të ndjekë me përparësi këtë gjë, dhe gjykatave,”-tha ai.