Daci: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vërtetoi se Presidenti nuk ka rolin e noter. Nuk mund të bëhen të gjithë ministra

0
133

Avokat Jordan Daci ka zhvilluar një intervistë për Fax News këtë të martë, për të folur në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pushoi konfliktin Rama-Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit të Jashtëm në vitin 2019.

Avokati Daci deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të qartë që Presidenti nuk ka thjesht rolin e noterit siç mundohet mazhoranca ta paraqesë, por duhet marrë dhe mendimi i tij. Më tej, Daci deklaroi se Ministër në Detyrë nuk egziston në asnjë vend të botës, por vetëm në Shqipëri.

Ndër të tjera, Daci u shpreh se nuk mundet që kushdo të bëhet Ministër, sepse ka disa kritere të cilat përcaktojnë këtë gjë, të cilat vendosen nga tre organet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese: Presidenti, Kryeministri dhe Parlamenti.

Po sipas Dacit, Gjykata Kushtetuese vendosi ta pushojë çështjen sepse nuk ka konflikt më. Ai madje shtoi se Kryeministri Edi Rama e ka pranuar vendimin e Metës duke qenë se shkoi të dekretohej vetë në postin e Ministrit.

Intervista: 

Njoftimi i GJK? Ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, jo në raport me qëndrimin por për faktin që gjykata po tregon profesionalizëm dhe integritet. Në një marrëdhënie të tensionuar që ndodhet Kryeministri dhe Presidenti, mendoj se ka dhënë një vendim të drejtë, i cili është për t’u përshëndetur. Për sa i përket vendimit, është e qartë që Rilindja është përpjekur që ta prezantojë Presidentin si një noter, ku thjesht duhet të japë miratimin. Vendimi i Gjykatës është i qartë që kompetenca ndahet mes tre institucioneve. E thënë në fjalë të thjeshta, Presidenti i Republikës ka të drejtë të vlerësojë nëse një ministër i plotëson kriteret për të qenë ministër. Nuk bën thjesht verifikim formal siç përpiqet ta paraqesë PS, por bën vlerësim të meritave. Nga ky dizpozitiv, kuptohet që nuk mundet kurrsesi që Presidenti është thjesht formal.  

Në rast se nuk bien dakord? Mundet që ai të mos bëhet ministër, thënë më thjeshtë. Në procedurën e emërimit shprehimisht thuhet që Kryeministri, Presidenti dhe kuvendi duhet të udhëhiqen nga parimi i besnikërisë ndaj kushtetutës dhe parimit të ndarjes së pushteteve. Praktikisht nuk mund të jetë kushdo ministër, sipas Gjykatës Kushtetuese, por duhet të plotësoje kriteret që përcaktohen nga 3 organet.

Pushimi i çështes? Nuk ka konflikt. Nuk ka mosmarrëveshje, sepse dekreti që u bë shkak, u pranua nga vetë Rama. Nuk ka Minsitër në detyrë, nuk egziston në asnjë vend të botës, vetëm te ne. Rama e pranoi, shkoi vetë për t’u dekretuar te Presidenti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here