Përdhunimi i një adoleshenteje në Mirditë, nga 5 banorë të fshatit ka tronditur opinionin publik në vendin tonë.
Abuzuesit e shantazhonin nëpërmjet një videoje dhe abuzonin me të prej disa muajsh, në Tarash të Mirditës.
I habitshëm është fakti se si askush nuk pa burrat, që vinin te shkolla e vajzës dhe më pas e merrnin me makinë. Pastori e konsideron këtë ngjarje të rëndë, turp për fshatin.
“Po të isha banor i këtij fshati, do të më vinte shumë turp. Ky turp bën me njollë të gjithë fshatin. Është një lloj pafuqie, deri në indiferentizëm që vret më shumë”.
Ai thotë se këta abuzues janë të pa fe. “Unë i shikoj këta njerëz të pa fe. Po të isha prifti i fshatit, ata do të ç’kishëroheshin. Janë pa fe, pa kulti, të papërgjegjshëm për veprat e tyre deri në kufijtë e absurdit. E kanë çuar veten në fundin e botës së ferrit. Në këtë rast, djalli nuk vishet me ‘Prada’, por ka një telefon në dorë”, shprehet pastori.
Akil Pano liston shkeljet e rënda morale, në këtë rast: “Pedofili, incest, shantazh, trafikim brenda grupit, shfrytëzim të qenies njerëzore, jeta e kësaj vajze është rrëmbyer. Vajzës do t’i duhen shumë vite, përkujdesje, trajtim, këshillim, i është rrëmbyer jo vetëm fëmijëria, por gjithë jeta”.