Kryetarja e LRI Floida Kërpaçi ka reaguar pas vendimit të Gjykata Administrative të Tiranës, e cila pezulloi shembjen e pallateve në Kombinat.
‘Gjykata Administrative e Tiranës i çorri maskën korrupsionit të rilindjes nëpërmjet vendimit për pezullimin e shembjes së pallateve në Kombinat. Kjo e sotmja është një fitore e madhe për qytetarët e Tiranës dhe banorët e asaj zone’, shkruan Kërpaçi në Facebook.
Postimi i plotë i Floida Kërpaçit:
Gjykata Administrative e Tiranës i çorri maskën korrupsionit të rilindjes nëpërmjet vendimit për pezullimin e shembjes së pallateve në Kombinat.
Kjo e sotmja është një fitore e madhe për qytetarët e Tiranës dhe banorët e asaj zone.
Në takimet e shumta që kemi zhvilluar me ta, i kemi inkurajuar që të ndjekin të gjitha hapat e nevojshme juridike, në mbrojtje të pronës së tyre, sepse mbetemi të bindur, bazuar në prova dhe fakte se rilindja është e motivuar për abuzim me fondet e rindërtimit, sesa lehtësimi i pasojave që tërmetet kanë shkaktuar tek qytetarët e prekur.
E në fakt, vendimi i marrë nga gjykata na bën të ndjehemi krenarë per pozicionin parimor që kemi mbajtur për këtë çështje, të cilën e kemi ndjekur që në hapat e parë, duke dhënë mesazhin, që kur nuk i përdor njerëzit për të fituar politikisht, fitues jemi të gjithë!
Beteja ligjore tashmë e Rindërtimit në Kombinat nuk është betejë për të fituar politikisht, por është një kazus për të gjithë shoqërinë shqiptare, se vetëm duke krijuar një frymë bashkimi komunitar me njëri-tjetrin, mund të mbroni të drejtat që ligjet ua garantojnë, por institucionet s’ua japin.
Do të mbështesim në mënyrë të palëkundur që kërkesa e banorëve të respektohet dhe Rindërtimi, të realizohet aty ku aktualisht kanë shtëpitë, në kombinat!