Aksioni nga një task forcë e bashkisë së Korçës ka nisur të largojë nga rruga nacionale Korçë-Pogradec e tregtareve që shesin produktet e tyre bujqësore anës rrugës.
Këto tregtarë janë cilësuar si burim aksidentesh, pasi tregtojnë shumë pranë aksit nacional dhe mjete dhe personat që ndalojnë bëhen burim aksidenti. Ky aksion është ndërmarrë pas kërkesave të shumta si nga policia rrugore ashtu edhe nga autoriteti rrugor shqiptar.
Por vetë tregtarët që preken nga ky aksion shprehen se kjo është mënyra e vetme me të cilën sigurojnë jetesën dhe shteti duhet tu sigurojë punë që të mos dalin për të shitur në rrugë.
Nga ana tjetër prefekti i Qarkut të Korçës, Dhori Spirollari, shprehet se tregtarët do të largohen nga aksi nacional dhe se prefektura është në bisedime me bashkitë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe më të sigurt për tregtimin e produkteve bujqësore.
“Jemi në diskutime me bashkitë që të kemi një zgjidhje të kënaqshme, jo vetëm një treg shitje, por edhe në një pozicion afër rrugës”, sqaron prefekti.
Akset më problematike nga shitjet në anë të rrugës janë ato Korçë-Pogradec dhe Korçë-Devoll.