Lëvizja Socialiste për Integrim ka paditur në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimimeve për qarkun e Beratit të datës 21 maj ku është vendosur ndryshimi i vendimit të datës 4 maj të KQZ dhe miratimi i tabelës përmbledhëse të rezultatit të dalë nga rinumërimi i 114 kutive të votimit për votat e subjekteve zgjedhore dhe dy kutive të votimit për votat e kandidatëve të kërkuara nga LSI.
Po kështu LSI kundërshton rrëzimin e kërkesës për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendrat e votimit numër 3445, 3431 dhe 3318 të qarkut Berat për shkak se konsiderohet ‘gjë e gjykuar’ në kërkesën ankimore të subjektit ankimues LSI për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Beratit.
Rinumërimi i 114 kutive të kërkuara nga LSI në Berat ngushtuan me 19 vota diferencën mes PS dhe LSI, të pamjaftueshme për të kaluar mandat parlamentar nga njëra forcë te tjetra.
Përfundimi i rinumërimit kthjelloi tabelën e rezultatit por jo qëndrimet politike. Menjëherë pasi kutitë u rimbollën, erdhën edhe akuzat. PD shkoi tej akuzave politike duke folur për kërcënim të vëzhguesve të saj nga socialistët.
”Joana Melengu kërcënoi vëzhguesen e PD. U kap në 20 prill duke shpërndarë ndihma nga rezervat e shtetit”, deklaroi avokati i PD, Marash Logu.