Aksidentet me marrëveshje pa polici, kundërshtojnë ekspertët: Kufizim i ligjit, ligjëron shkeljet

0
87

Formulari i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për zgjidhjen me marrëveshje të aksidenteve me dëme nën 30 mijë lekë pa ndërhyrjen e policisë është parë me kritika nga ekspertët e rrugores. Këta të fundit e konsiderojnë kufizim të ligjit aktual, që nuk do të sjellë asnjë risi.

Drejtuesit e mjeteve që përfshihen në një aksident me dëme materiale nën 30 mijë lekë, nëse bien dakord, duhet ta zgjidhin çështjen me marrëveshje përmes një formulari dhe mos të njoftojnë policinë rrugore.

Ky është propozimi që ka bërë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përmes hartimit të Raportit Europian të aksidenteve.

Për ekspertët e sigurisë rrugore, zgjidhja me marrëveshje është e parashikuar në ligj, dhe ky propozim do të ishte kufizim i saj.

“Në praktikën e dëmit është përcaktuar në mënyrë eksplicite që në një dëm motorik mund të plotësohen në deklaratat e mirëbesimit të së cilit, ligji e njeh dhe sot AMF thotë përdorim motorik deri në 30 mijë lekë,është kufizim i atij ligji.”

Aplikimi i këtij formulari, sipas Artur Sulçes nuk do të sjellë asnjë inovacion.

“Nëse ne të dy nuk mirëkuptohemi si përdorues rruge, si drejtues automjetesh do të vijë policia patjetër edhe për 30 mijë lekëshin, se këtu për një pasqyrë janë vrarë njerëzit.”

Në këtë formular të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, parashikohet se nëse palët nuk bien dakord, atëherë do kërkohet ndërhyrja e policisë ku do të aplikohen edhe gjoba.

Eksperti i sigurisë rrugore thotë se nënshkrimi i atij formulari do të ishte një anashkalim i gjobave të vendosura për shkeljen e qarkullimit.

“Është detyrim ligjor nëse përfshihesh në një aksident që ti të marrësh penalitetin se ke shkelur një normë të Kodit Rrugor. Pra AMF ligjëron, mos thërrisni policinë që të mos merrni penalitete kur ju bëni një penalitet.”

Formulari i Raportit Europian të aksidenteve është ende në fazë konsultimi dhe pritet të miratohet gjatë javëve në vazhdim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here