DW: Dikur prodhonte emigrantë që largoheshin me gomone, sot Shqipëria është kthyer në destinacion turistik

0
90

Nga DW

Nga vend që prodhonte emigrantë që largoheshin me gomone nga vendi, sot Shqipëria është kthyer në destinacion turistik, që mirëpret turistë që vijnë me gomone.

Besmir Lulaj lindi në vitin 1990, atëherë kur Shqipëria e dalë nga regjimi diktatorial me kufij të mbyllur, ishte e etur për botën e veçanërisht Europën.

Të lidhur me Italinë nëpërmjet detit Jon, shqiptarët nisën emigrimin e paligjshëm.

Së pari me anije ditën për diell, e më pas me gomone gjatë natës, për t’i shpëtuar policisë kufitare të shtetit fqinj. Në ato vite gomonet morën shumë jetë njerëzish.

Sot, 30 vite më pas, Besmiri drejton biznesin e familjes, Marina Bay Resort, një prej resorteve më të njohur në jug të Shqipërisë, në Vlorë.

Ndërrim i destinacionit

Ai ka gjetur një simbolikë të veçantë turizmi: sjelljen me gomone luksoze të turistëve italianëve nga Puglia, në Vlorë.

“Për ne që e kemi jetuar një ndryshim kaq të shpejtë është edhe një lloj krenarie, pasi nga një vend që shkonim për të parë ëndrrën, pa marrë parasysh të gjithë risqet që mbartte një udhëtim i rrezikshëm, sot kthehemi në një vend që mirëpret turistët kuriozë, turistët e aventurës në një udhëtim tejet të sigurtë.” – thotë Besmiri.

Udhëtimi i sigurtë dhe i rehatshëm nga brigjet italiane në ato shqiptare zgjat rreth 2 orë e gjysmë. Ideja e bashkëpunimit mes Lulajt dhe partnerëve italianë lindi dy vite më parë gjatë një panairi turizmi. “Ka turistë që e kanë eksperiencë të parë dhe thjesht vijnë e ikin. Ndërkohë që këtë vit ne e shtuam gamën e ofertës, duke bërë një exchange/shkëmbim të turistëve. Pra ata vijnë dhe qendrojnë tri ditë tek ne, ndërkohë që ne nisim një grup shqiptar që shkon e qendron tri ditë në Puglia, kryesisht në zonën e Otrantos, dhe secili merr eksperienca të ndryshme duke bërë të njëjtin itinerar.” – thotë Besmiri.

Ndërkohë që Besmir Lulaj bëhet gati për këtë sezon veror për grupin e parë të turistëve italianë që vijnë me gomone luksoze, bregdeti i Vlorës rezulton të jetë tërësisht i prenotuar gjatë muajve korrik dhe gusht me turistë nga e gjithë bota.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here