Ish-Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo ka konfirmuar për The Epoch Times”më 3 qershor se përpjekjet e tij për t’i shkuar deri në fund çështjes se si u përhap coronavirusi nga Kina në SHBA hasi në kundërshtim të fortë brenda qeverisë amerikane.
Pompeo u pyet rreth zbulimeve në një artikull të Vanity Fair më 3 qershor se zyrtarë kyç brenda Departamentit të Shtetit kërkonin ta mbanin të fshehtë nga publiku se fonde amerikane kishin financuar kërkime për modifikim virusesh në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV).
Ai kërkim, i cili u përqendrua në teknikat për rikonfigurimin e viruseve të natyrshëm për t’i bërë më virulentë dhe të transmetueshëm tek njerëzit, është financuar pjesërisht që më 2012 me pará taksapaguesish amerikanë përmes Instituteve Kombëtare të Shëndetit dhe një fondacioni jofitimprurës të njohur si EcoHealth Alliance.
Analiza e Vanity Fair “zbuloi se konfliktet e interesit, që buronin pjesërisht nga grante të mëdha qeveritare që mbështesin kërkimin e diskutueshëm të virologjisë, penguan hetimin e SHBA për origjinën e COVID-19 në çdo hap.”
“Në një takim të Departamentit të Shtetit, zyrtarë që propozonin kërkim transparence nga qeveria kineze thonë se kolegët ua kishin bërë të qartë që të mos eksploronin kërkimin për modifikim virusi nga WIV, pasi kjo do të tërhiqte vëmendjen e padëshiruar mbi financimin e qeverisë amerikane”, thotë artikulli.
Kina ka këmbëngulur që kur virusi u shfaq për herë të parë në fund të 2019 se ai ishte përhapur nga lakuriqët e natës te njerëzit përmes një tregu mishi në ajër të hapur në Wuhan. Megjithatë, disa zyrtarë qeveritarë dhe të shëndetit publik, shkencëtarë të sektorit privat dhe gazetarë investigativë kanë thënë që në fillim të 2020 se virusi u përhap nga WIV.
Presidenti Donald Trump dhe Pompeo, si dhe Senatori Tom Cotton vunë publikisht në dukje ekzistencën e provave të tilla në prill 2020 dhe u bënë thirrje zyrtarëve kinezë të lejojnë hetues të pavarur në WIV dhe rekordet e tij.
Kina refuzoi. Pas zgjedhjeve të nëntorit 2020, Pompeo kërkoi nga Departamenti i Shtetit dhe administrata Trump që të nxirrnin për publikun sa më tepër fakte që të ishte e mundur. Ai nxori një deklaratë më 15 janar që përfshin një zbulim të rëndësishëm, që kërkuesit në WIV kishin shfaqur simptoma të virusit muaj para se sëmundja të përhapej në Kinë e në vendet e tjera.
Deklarata vë në dukje edhe kërkimin për modifikim virusesh të kryer në WIV dhe shtron pyetjen nëse fondet amerikane mund të jenë devijuar për projekte sekrete ushtarake kineze në WIV. Por edhe nxjerrja e kësaj deklarate ishte luftë më vete, tha Pompeo për The Epoch Times më 3 qershor.
“U bëra i vetëdijshëm në fund të vitit 2020 që tani kishim një nivel të shtuar të besimit në të dhënat që mbështesnin ato që vumë në dukje në mes të janarit. Koha po mbaronte dhe unë po luftoja shumë fort brenda Departamentit të Shtetit e më gjerë”, tha Pompeo.
Një pengesë e madhe ishte fakti që pjesë të konsiderueshme të provave ishin mbajtur nga agjencitë e inteligjencës që kundërshtuan lirimin e tyre publik. “Kishte vende jashtë Departamentit të Shtetit që zotëronin informacionin brenda komunitetit të inteligjencës dhe u përpoqëm që ata të na jepnin sa më shumë hapësirë që ishte e mundur. Ne po hartonim raporte që i mbronte gjërat e klasifikuara që duhej të mbeteshin të tilla, por donim të siguroheshim që informacioni të ishte i disponueshëm në hapësirën publike”.
Ai thotë se e konsideronte të rëndësishme në atë kohë e vazhdon ta konsiderojë edhe sot se populli amerikan duhet të dijë fakte dhe që qeveria kineze duhet të mbajë përgjegjësi për daljen e virusit nga WIV.
“Kishte dy arsye për këtë. E para, ishte çështje transparence dhe, e dyta, donim që Partia Komuniste e Kinës të ishte e detyruar të shpjegonte atë që edhe ne e edinim.
Një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit me njohuri direkt për çështjen, tha për Epoch Times se Pompeo ua bëri të qartë të gjithë të përfshirëve në hetimin e Departmanetit të Shtetit për virusin se ata duhej të ndiqnin faktet kudo që t’i çonin. I pyetur për kundërshtimin e brendshëm për këtë përpjekje, ish-zyrtari tha se Pompeo u përgjigj me një aforizëm të kripur që reflektonte karrierën e tij ushtarake.
“Ai tha ‘ata le të pirdhen dhe thuajini që kështu na ka urdhëruar Sekretari i Shtetit’. Ai tha edhe diçka shumë, shumë të rëndësishme: ‘Nuk dua t’ia di se në çfarë përfundimi do të arrini. Mund të jetë diçka që mund të na pëlqejë ta dëgjojmë, politikisht, ose diçka që mund të mos na pëlqejë, por unë dua të vërtetën’. Ky ishte qëndrimi gjatë gjithë investigimit të kryer nga grupi”.