Erl Kodra: Zonja Kim, gruaja që po shkatërron opozitën shqiptare

0
634

Nga Erl Kodra

Zonja Ambasadore Yuri Kim,

Kjo është një letër patetike. Në fakt nuk doja të ishte e tillë, por ashtu doli. Ndjesë, asgjë personale.

Në vitin 2019 Philip T. Reeker, Ndihmës Sekretari për Euroazinë në Departamentin e Shtetit të SHBA, kërcënonte Partinë Demokratike përmes Daniel Koski me fjalët (citim) se “çdo akt dhune nga sot në 1 korrik do të detyrojë Departamentin e Shtetit të SHBA që t’ju klasifikojë si një organizatë e dhunshme”. Në të vërtetë, deklerata e pazakontë erdhi në një situatë të ngarkuar politike, duke i dhënë leje Edi Ramës që të instalojë përfundimisht njëlloj shteti kontravers dhe mafioz, shtet i cili menaxhon dhe kontrollon dy botë – të dheshme dhe të nëndheshme. Që prej asaj dite, Partia Demokratike iu bind të gjitha kërkesave të Philip T. Reeker, Mattew Palmer dhe Yuri Kim, Ambasadores së re të SHBA-ve në Tiranë.

Znj. Kim, një grua e re energjike, me një buzëqeshje të skalitur në fytyrë, është kthyer në një lloj ylli shkatërrimtar për Opozitën shqiptare, aq sa daljet e saj para mediave ndiqen me zemër në dorë nga gjysma e shqiptarëve. Ajo nuk lodhet për të ruajtur një gjuhë të rafinuar diplomatike, as nuk përdorë fjalor të drunjtë që të mos deshifrohet lehtë – përveç rasteve kur padashur deklerata merr kuptim tjetër për tjetër – por i bie drejtë e në krye të gjithë atyre qytetarëve që kundërshtojnë Edi Ramën. Fjalët brutale të dala nga goja e një gruaje që buzëqesh janë kthyer në kumte të zeza që vrasin vetëm në njërin krahë, duke rrënuar kështu shpresat se Shqipëria do të shkëputet ndonjëherë nga humnera ku ka rënë.

Historia e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri është shumë interesante, megjithatë ky nuk është qëllimi i shkrimit, por është vetëm një përpjekje për të thënë gjërat ashtu siç janë. Në të vërtetë, jam menduar gjatë para se të shkruaj këtë tekst – jo nga frika, as nga ndonjë paranojë, por se, sjellja e fundit e Ambasadores Yuri Kim dhe shefave të saj në Washington më ka kujtuar kohën e terroristit Enver Hoxha, kur gjysma e shqiptarëve ishin të këqinjtë, armiqtë e Partisë, tradhëtarët e Atdheut, ndërsa gjysma tjetër ishin të përzgjedhurit, të privilegjuarit, komunistët e rinjë, gjaku i ri i Partisë. A mund të jetë rastësi që përkrahet pa kushte një mafioz ekselent në nivel ndërkombëtar, që e ka kthyer qeverinë në një shtojcë të krimit të organizuar – dhe goditet opozita – ekzaktësisht se po turpëron dhe ekzpozon qeverinë mafioze të Edi Ramës? Si është e mundur që Ambasadorja Kim nuk mundi të thotë një fjalë për përgjimet e publikuara në gazetën Bild, ku provohej përtej çdo dyshimi blerja e zgjedhjeve të vitit 2017? Kush ia lidhi gojën Ambasadores, të thotë qoftë edhe gjysëm fjale në mbështetje të kauzave më fisnike që ndonjë opozitë ka patur ndonjëherë? Çfarë e pengonte këtë grua të re, të bëhej edhe e bukur kur të buzëqeshte, që të thoshte ndonjë fjalë kur u shemb barbarisht Teatri Kombëtar? Cilat janë vlerat që ajo mbron – vlerat e Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Damian Gjiknurit, Rrahman Rrajës dhe Tom Doshit – apo vlerat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? A i di zonja Ambasadore vlerat (mafioze) që këta individë përfaqësojnë?

Si mund të bënte dy dekleratat më skandaloze – në emër të Shteteve të Bashkuara dhe të Presidentit të SHBA-ve – se “ndryshimet kushtetuese nuk e shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit, por shkojnë përtej saj” dhe se, “Kryeministri Rama më ka siguruar se Tom Doshi nuk do të ketë ndonjë rol në krijimin e Qeverisë”? Dhe Toma, si burrë i besës dhe i nderit, e mbajti fjalën – u tërhoq nga Parlamenti pasi bleu 35,000 vota, kokërr më kokërr, nën vëmendjen e lartë edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ju lutem – kë përfaqësoni ju zonja Ambasadore? Tom Doshin, Edi Ramën, apo Presidentin e Shteteve të Bashkuara?!

Lista e pyetjeve mund të ishte e pafund, sepse edhe qëndrimet të tilla janë – pa asnjë limit dhe vetpërmbajtje formale – me një gjuhë që i ka zhytur në depresion gjysmën e shqiptarëve.

Ah, se përpak harrova të shkruaj për Kalin e Betejës së zonjës Ambasadore, për SPAK-un e famshëm që tundet në erë, si një balonë propagandistike, pa goditur kurrë, për asnjë rast krimin dhe korrupsionin e Edi Ramës dhe gringove të tjerë, që i kanë kthyer Rregullat dhe Ligjet e këtij vendi në letra higjenike, me të cilat fshijnë krimet e tij. Por nuk është kjo e gjitha – në fakt e gjitha vjen në fund.

Shqiptarët ndjejnë një dashuri pa kushte për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë, shkruesi i këtyre rradhëve isha vetëm një adoleshent gjimnazist kur u internova nga regjimi terrorist i Enver Hoxhës për shkaqe politike, bashkë me familjen time. At’botë unë isha një armik me A të madhe, nga më të rrezikshmit e regjimit, sepse kisha shkruar poezi dekadente, hermetike, disidente, si dhe kisha dëgjuar Zërin e Amerikës. Unë isha “i prekur” – jo nga ndonjë virus, as sëmundje ose nga ndonjë handikap tjetër fizik – por isha politikisht i papranueshëm për shtetin terrorist që kishte ngritur Enver Hoxha dhe Partia e Punës – nëna e Partisë Socialiste. Vitet më të bukura të jetës time i kalova në internim – duke ëndërruar ditën kur Ronald Reagan dhe George H.W. Bush do të mund të triumfonin mbi kolerën e Shekullit të 20-të. Më vonë u “takova” edhe me artin e madh amerikan, me filmat, muzikën, letërsinë dhe filozofinë amerikane. Një komb i madh – më i ndrituri i Historisë Moderne – që i ka dhënë kuptim dhe vlerë moralit njerëzor.

Shtetet e Bashkuara nuk janë rastësisht vendi më i dashur për shqiptarët – sepse ato ishin edhe shpëtimtarët tanë. Nëse kjo është e vërtetë si Ligji i Gravitetit, çfarë është sjellja juaj (dhe jo vetëm) me Opozitën Shqiptare? Përndryshe, pse mbështesni pa kushte një mafioz delikuent si Edi Rama?!

Pse, në emër të Zotit?!

A i lexoni Raportet Vjetore të Departamentit të Shtetit, shtetit tuaj?! A keni dëgjuar se Edi Rama sapo humbi 110 milion euro në Gjykatën e Arbitrazhit në New York? A i ke dëgjuar përgjimet e publikuara në Bild? A ke dëgjuar për Tom Doshin? Po për patronazhistët e Ramës? Po për Unazën e Re?!

A ke dëgjuar?!

Ju lutem, më lejoni të ju kujtojë se për shqiptarët nuk ka asgjë më të çmuar se sa Partia Demokratike. Edi Rama mund të ju duket interesant për momentin – madje interesant është edhe për Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, edhe për George Soros, dhe për disa të tjerë – por në fund të fundit Partia Demokratike është gjysma tjetër e shqiptarëve, partia me frymën më pro-amerikane dhe pro-përëndimore në Europë. Një ditë ju do të përgjigjeni edhe para Kongresit dhe Senatit; sepse shyqyr Zotit, shqiptarët kanë miq të çmuar në Shtetet e Bashkuara. Dhe miqtë e mirë janë për ditë të vështira.

Sinqerisht,

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here