Një trup i pajetë është gjetur nga Policia e Malit të Zi në Ulqin. Mediat malazeze bëjnë me dije se trupi i pajetë është i ish-shefit të Policisë Rudolf Dofi Elezoviç.
Ky i fundit rezulton i zhdukur prej datës 27 maj.
Rudolf Dofi Elezoviç bashkëpunonte dhe me Policinë Shqiptare për të goditur trafikun në të dyja anët e kufirit. Për 6 vite ai ka shërbyer si shef i Policisë në seksionin e antidrogës për Tivarin dhe Ulqinin. Së fundmi ai punonte si oficer në sektorin e Antitrafikut në kufirin me Malin e Zi.
Jo zyrtarisht nga Policia e Ulqinit kanë thënë se nga rezultatet paraprake të hetimit, trupi i pajtetë është i ish-shefi të policisë së Ulqinit, Rudolf Elezoviç. I njëjti burim ka thënë se shkaku i vdekjes do të përcaktohej nga autopsia, por që tani për tani, gjithçka tregon për vetëvrasje.
Prokuroria dhe Policia e Shkodrës nisën hetimet dhe kërkimet për shefin shqiptar të antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin, Rudolf Dofi Elezoviç, pasi gjurmët e tij të fundit ishin në kufirin mes Shkodrës dhe Malit të Zi, në zonën e fshatrave Pentar dhe Reç.
Gruaja e tij Marina Elezoviç ka thënë se bashkëshorti i saj, shqiptar i Malit të Zi ka humbur gjurmët prej datës 27 Maj.
“Po shkoj deri në Shkodër se kam një punë. Nuk vonohem se kur të vij do i bie shkurt”, iu ka thënë shefi i Policisë familjarëve të tij kur është nisur për në territorin shqiptar. Nuk dihet se për çfarë “pune” do të vinte Elezoviç në Shqipëri.