Ish-ministri i Financave Arben Malaj, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se është një turp, që Kongresi i PS-së po mbahet në stadium.
Malaj thekson se zgjedhjet e 25 prillit prodhuan një rezultat pa zgjidhje.
“Socialistët duhet ta festojnë, pavarësisht se PS udhëhiqet nga një grup rilindasish. Nuk mund të bëhet Kongresi në stadium, sepse një dokument nuk mund të diskutohet dot në stadium. Të bësh Kongres në stadium është turpëruese për socialistët e thjeshtë. Përvjetori i PS-së nuk mund të ishte një festë. Të marrësh vendime të ndryshme nuk bëhen dot në një stadium.
Zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhje pa zgjidhje. Kjo sepse nuk janë arritur që të hiqet laku nga fyti ndaj Shqipërisë në integrimet e saj europiane. Procesi integrues është bllokuar nga Rama dhe Shqipëria. Do ishte mirë që Meta të mos kishte agresivitet. Shkarkimi i presidentit është lëvizje me ndikim”, tha Malaj.
Arben Malaj foli edhe për urdhrin ekzekutiv të Biden, duke thënë se duhet që të tremben ata që ranë pre e babëzisë.
“Të tremben ata që janë treguar të babëzitur. Liderët e rinj në politikë duhet që të edukohen. Duhet të marrë fund pandëshkueshmërisë. Ta shikojmë nëse Rama do të ndajë pushtet apo do mbajë pushtet vetëm vetë. Do vazhdojë të çojë njerëz mercenarë apo do bëjë punë?
Rama të mos ndihet i kënaqur dhe fodull sepse aktualisht fokusi është tek dikush tjetër. Unë mendoj se Rama po pengon integrimin e vendit dhe këtë s’kam frikë ta them edhe përpara shqiptarëve, edhe para të huajve”, u shpreh Malaj.